Qalaj: MPB ka nevojë për një Ministër të Brendshëm e jo për një praktikant të dobët si Xhelal Sveçla

Deputeti i PDK-së Rashit Qalaj ka kritikuar Qeverinë lidhur me bashkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme me Ministrinë e Administratës Publike.

Përmes një postimi në Facebook, Qalaj ka thënë se këto ministri nuk kanë asgjë të përbashkët dhe ky bashkim po krijon shpenzime më të larta duke krijuar një ministri jonfunksionale.

“Për shembull, për pozitën e Drejtorit të Departamentit të Prokurimit sot paguhen 3 drejtorë njëkohësisht: drejtori i MPB, drejtori i ish-MAP, ndërsa së fundmi është caktuar një Ushtruese e Detyrës së Drejtorit të Prokurimit. Kjo është shkelje e rëndë e ligjit dhe është keqmenaxhim i buxhetit të shtetit. Ndërsa janë dhjetra pozita të njejta për të cilat paguhen nga 2 zyrtarë”, ka shkruar Qalaj.

Ai po ashtu ka kritikuar edhe ministrin Xhelal Sveçla duke e quajtur si ministri më i dobët i Qeverisë.

“Së fundmi, Qeveria ka rritur numrin e këshilltarëve në MPB nga 6 në 10 duke u arsyetuar për vëllimin e shtuar të punës si rezultat i fuzionimit. As edhe kjo rritje e këshilltarëve nuk e ka ndihmuar Ministrin Svecla i cili ka realizuar vetëm 15% të programit legjislativ, duke qenë ministri më i dobët i Qeverisë”, ka shkruar Qalaj.

Ish drejtori i Policisë ka shtuar se MPB-ja ka nevojë për një ministër të Brendshëm e jo siç e ka quajtur ai, një praktikant të dobët si Xhelal Sveçla.

“Në anën tjetër, tash e sa kohë e gjithë struktura e brendshme e MPB është jo funksionale pasi që ministri Svecla ka bllokuar zbatimin e Rregullores për organizimin e brendshëm të MPB e cila ka hyrë në fuqi në janar 2021. Pra, ministri ka bllokuar zbatimin e një rregullore e cila ka kaluar procedurat e rregullta të miratimit kinse për shqyrtim të saj por në praktikë tash e 10 muaj asnjë veprim nuk është ndërmarrë për ndryshimin e kësaj rregullore. MPB ka nevojë për një Ministër të Brendshëm dhe jo për një praktikant të dobët si Xhelal Svecla, i cili rrethohet me një armatë të “këshilltarëve” e zëvendës ministrave puna e të cilëve nuk po shihet që gati 1 vit”, ka shkruar Qalaj në Facebook.