Ministri i Mbrojtjes i Malit, koloneli Sadio Camara përshëndeti një partneritet në rritje me Rusinë pasi mori dërgesën e katër helikopterëve ushtarakë rusë.
Camara mirëpriti me entuziazëm ndihmën ruse, që përmes pajisjeve ushtarake Putini po e gllabëron një shtet të varfër. Furnizimi me pajisje ushtarake për Malin ka të ngjarë që t’i rrit shqetësimet në Bashkimin Evropian.
Vendet evropiane paralajmëruan qeverinë e Malit në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së javën e kaluar kundër punësimit të paramilitarëve nga grupi i diskutueshëm Wagner, një firmë private e sigurisë ruse, e lidhur ngushtë me presidentit rus, Vladimir Putin. Por ndërsa Parisi po përgatitet të zvogëlojë praninë e tij ushtarake në Mali, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u tha gazetarëve në OKB se qeveria e Malit po kthehet drejt “kompanive private ruse”.
Qeveria e Mali e dominuar nga ushtria thuhet se është në procesin e punësimit të 1.000 paramilitarëve nga Wagner në një veprim që shihet me shqetësim të madh midis fqinjëve të saj, si dhe ish-fuqisë koloniale të Francës, e cila aktualisht mban një mision antiterrorizëm prej 5 mijë trupash atje. “Ne jemi këtu këtë mbrëmje për të marrë katër helikopterë Mi-171, armë dhe municion”, tha Camara gjatë marrjes së pajisjeve. “Katër helikopterët, të rinj siç mund ta shihni, u blenë plotësisht brenda buxhetit kombëtar”, shpjegoi koloneli në një video.
“Ky është realizimi i një kontrate të nënshkruar në dhjetor 2020, e cila hyri në fuqi në qershor 2021. Shpejtësia ekstreme me të cilën u hartua kjo kontratë tregon besueshmërinë dhe seriozitetin e këtij partneriteti i cili gjithmonë na ka dhënë kënaqësi në kuadrin e shkëmbimeve ku të dyja palët fitojnë”, shtoi Camara. Në OKB, kryeministri i Malit, Choguel Kokalla Maiga, akuzoi Francën – e cila ndërhyri në vitin 2013 për të ndihmuar në mposhtjen e një kryengritjeje xhihadiste – se po braktiste vendin e tij me një vendim “të njëanshëm” për tërheqjen e trupave. Grupi Wagner konsiderohet i afërt me Presidentin rus Vladimir Putin dhe vendet perëndimore e akuzojnë atë se vepron në emër të Moskës. Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaratën e kryeministrit të Malit e quajti të papranueshme dhe tha se është i tronditur me atë që ka dëgjuar.
“Ashtë një turp dhe çnderon një qeveri”, tha Macron, duke iu referuar grushtit të shtetit të majit të udhëhequr nga koloneli i ushtrisë Assimi Goita.







