Putini “fryhet” kot, ushtria ruse nuk ka më fuqi: Ukraina duhet të kundërsulmojë në shkallë të gjerë

Shkruan: Irina Plaks “Atlantic Council”

Vendimi i pak ditëve më parë i presidentit rus Vladimir Putin për të mobilizuar qindra mijëra rezervistë rusë, do të thellojë me siguri ndarjet brenda Rusisë, dhe do të nxjerri akoma më në pah politikat e dobëta të personelit ushtarak të regjimit të tij. Dhe kjo gjë duhet ta nxitë Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë që të përgatiten për një sulm të ri të shpejtë ndaj trupave të trajnuara dobët dhe të shkëputura nga njëra-tjetra në front.

Në dallim nga SHBA-ja, Rusia nuk ka qenë asnjëherë në gjendje të kalojë plotësisht nga ushtria me një rekrutim të detyrueshëm nga ligji tek një ushtri tërësisht vullnetare. Forca e saj aktive përbëhet nga rreth 70 për qind personel i kontraktuar, dhe 30 për qind rekrutë.

Të rinjve nga mosha 18-27, u kërkohet të shërbejnë një vit në ushtri (nga të cilat 4-8 muaj kalohen në trajnim). Kjo praktikë është shumë e papëlqyer. Rusët më të pasur në zonat urbane shpikin justifikime, falsifikojnë dokumente ose u paguajnë ryshfet zyrtarëve lokalë për të shmangur shërbimin.

Ndërkohë ushtarakët me kontratë duhet të jenë pjesa më profesioniste dhe më efektive e ushtrisë ruse. Kjo është arsyeja pse Kremlini ka hezituar të merrte nismën e mobilizimit përmes rekrutimit, dhe ka premtuar paga gjithnjë e në rritje për të tërhequr vullnetarë në luftë.

Por burimet njerëzore që kanë mbledhur, lënë shumë për të dëshiruar. Zyrtarët janë përpjekur të rekrutojnë burra të moshës së mesme, ushtarë të plagosur së fundmi në front, kriminelë të dënuar, dhe njerëz të pastrehë. Ulja e standardeve nuk ka qenë pozitive për ushtritë në të kaluarën.

Ndaj cilësia e forcave ruse do të bjerë pasi në mënyrë të pashmangshme kur këta rekrutë të rinj të integrohen në forcë. Në fillim të kësaj vere, Kremlini kërkoi që secili nga 85 rajonet federale të Rusisë të formonte një batalion prej 400 vetash. Mendohet që këta vullnetarë të plotësojnë mbështetjen logjistike të ushtrisë dhe të dërgohen në vijën e parë të luftimeve pas vetëm 2-4 javë trajnim.

Atyre u premtohen një pagë të paktën 3 mijë dollarë në muaj nga ushtria, shpërblimet nga regjistrimi, dhe deri në 3 muaj paga nga qeveritë rajonale. Këto njësi vullnetare nuk do të kenë një trajnim të standardizuar. Megjithatë do t’i kushtojnë Kremlinit po aq sa trupat profesionale.

Duke kuptuar se nuk do të mjaftonte as kjo lëvizje, mobilizimi i fundit i Putinit synon të angazhojë në luftë 300 mijë rezervistë, nga një grup prej më shumë se 2 milionë ish-rekrutësh dhe ushtarësh me kontratë. Por vetëm rreth 4-5 mijë prej tyre i nënshtrohen rregullisht trajnimeve mujore dhe vjetore, pra kanë një nivel të lartë gatishmërie.

Nga ana tjetër, Rusisë i mungojnë kapacitetet financiare, administrative dhe trajnuese për të ruajtur rezervën e saj. Kjo e bën lëvizjen e Putinit akoma më të paefektshme në një periudhë afat shkurtër. Natyra kaotike e mobilizimit në mbarë Rusinë deri më tani, tregon se ajo nuk ka infrastrukturën e duhur për t’i rekrutuar dhe trajnuar në mënyrë efektive këto trupa.

Për më tepër, Rusia nuk i ka integruar kurrë me sukses 3 aspektet e forcës së saj – vullnetarët, rekrutët dhe rezervat – dhe ka pak ndërveprim midis grupeve. Në të kundërt, ushtria e Shteteve të Bashkuara ka një koncept të forcës totale, bazuar në ndërrueshmërinë midis ushtarakëve aktivë, Gardës Kombëtare dhe forcave më rezervë.

Për më tepër, që të treja duhet të përballen tani me përdorimin e forcave mercenare private nga Rusia, siç është Grupi Vagner. Sipas grupit të të drejtave të njeriut, “Nënat e Ushtarëve të Rusisë”, një nga ankesat kryesore të ushtarëve në vijën e frontit në Ukrainës muajt e fundit kanë qenë tensionet me këto grupe, të cilat thuhet se janë përdorur për të monitoruar dhe ndaluar me forcë ushtarët rusë që anketohen ose përpiqen të dezertojnë.

Këto tensione e dobësojnë më tej efektivitetin luftarak dhe moralin e trupave të Rusisë.

Me gjithë humbjet e rënda të ushtrisë së tij në Ukrainë, njoftimi i fundit i Putinit tregon se ai ende nuk është i gatshëm të shpallë një luftë zyrtare dhe të urdhërojë një mobilizim të plotë. Kjo tregon se ai është i vetëdijshëm se sa e rrezikshme mund të jetë politikisht një lëvizje e tillë. Por edhe një mobilizim i pjesshëm po e detyron popullin rus të përballet me realitetet e luftës.

Zgjedhja nga Putin e spektaklit mbi substancën për të qetësuar fanatikët e regjimit, do të thotë se forcat e tij rezervë nuk kanë gjasa të kenë një ndikim domethënës në fushën e betejës së shpejti. Ndërkohë, qeveria e tij vazhdon të harxhojë qindra miliona dollarë në ditë për luftën në Ukrainë, një shifër që do të rritet më tej me çdo ushtar dhe rezervist shtesë.

Këto politika fatkeqe ofrojnë një mundësi shumë të mirë për Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë. Në kundërpërgjigje, Ukraina duhet të vazhdojë të shënjestrojë njësitë e mbështetjes logjistike ruse. Pasi ato janë trupat më pak të trajnuara dhe janë dëshmuar tashmë si “Thembra e Akilit” e Rusisë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të vazhdojnë ta furnizojnë Ukrainën me armë, në mënyrë që kundërsulmi të këtë sukses. Me mbështetjen e aleatëve të saj perëndimorë, ushtria ukrainse duhet të përqendrohet në kryerjen e trajnimeve me cilësi të lartë dhe të kultivojë në vijimësi kohezionin midis trupave për të pasur një avantazh ndaj armikut, në një kohë që duhet të vazhdon të shfrytëzojë dobësitë e Rusisë sa i përket moralit të trupave.

Përveç përdorimit të një strategjie të fuqishme frenuese ndaj Rusisë, në raport me përdorimin e armëve bërthamore ose kimike (dhe të qenit gati për t’u kundërpërgjigjur nëse ajo dështon), Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë regjimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Ky regjim duhet të synojë në mënyrë specifike rajonet që po dërgojnë më shumë trupa në vijën e frontit. Në listë mund të përfshihen industritë kryesore në këto rajone, si për shembull industria e naftës në Dagestan apo impiantet e energjisë dhe kimikateve në Volgograd, por edhe krerët e këtyre rajoneve përmes sanksioneve individuale.

Këto masa do të vazhdojnë të dëmtojnë aftësinë e Kremlinit për të paguar pagat e ushtarëve apo kompensimet financiare për plagosjet dhe vdekjet, gjë që do të përbënte një goditje të mëtejshme për moralin e trupave por edhe mbi mesazhet publike ndaj popullit rus.

Politikat aktuale të Rusisë, do të shkaktojnë në mënyrë të pashmangshme tensione brenda vendit, ndërkohë që Ukraina dhe aleatët e saj duhet të përfitojnë nga ky fakt.

Shënim: Irina Plaks, eksperte në praktikën e Mbrojtjes së Përparme në Qendrën për Strategjinë dhe Sigurinë në think-tankun “Atlantic Council”. /AbcNews