Putin në luftë me Evropën, ja cila është e vetmja rrugë për ta ndalur

Nga Simon Tisdall “The Guardian”

Ka ardhur koha të zgjohemi dhe nuhatim erën e barutit. Ashtu si valët e goditjes të shkaktuara nga një raketë, lufta e Vladimir Putin në skajin lindor të Evropës, po zhvendoset me shpejtësi drejt Perëndimit, duke “shkallmuar” dyert e përparme të shtëpive, bizneseve dhe vendeve të punës nga Berlini në Birmingham.

Vazhdimi i kësaj lufte, i ngjan një shiu toksik paqëndrueshmërie, vështirësie dhe frike.

Ideja se konflikti në Ukrainë mund të kufizohej vetëm atje – një iluzion i madh me të cilin  e gënjeu veten NATO – dhe se sanksionet perëndimore dhe furnizimet me armë ndaj ukrainasve do të ndalnin rusët, ka qenë gjithmonë absurde.

I tërbuar nga rezistenca kokëfortë e Kievit, dhe i vendosur të ndëshkojë autorët e sanksioneve ndaj tij, qëllimi i Putinit është tashmë poshtërimi i Evropës. Duke përdorur si armë energjinë, ushqimin, refugjatët dhe informacionin, udhëheqësi rus po përhap kudo në kontinent kostot ekonomike dhe politike, duke krijuar kushte lufte për të gjithë.

Po na afrohet një dimër i gjatë, i ftohtë dhe i mbushur me shumë probleme, me mungesë energjie dhe trazira. Ndërkohë rritet çdo orë kostoja e ndrojtjes dhe dritëshkurtësisë së udhëheqësve perëndimorë.

Operacionet ruse të destabilizimit, manipulimi i mediave sociale, sulmet kibernetike, bisedat diplomatike me 2 qasje, shantazhi bërthamor, plus masakra e pandërprerë ndaj civilëve në Ukrainë, vetëm sa do ta përshkallëzojnë “rrethimin” e Evropës në muajt në vijim.

Besimi iluzor i Perëndimit, se mund të shmangte përshkallëzimin në mbarë kontinentin po zhduket me shpejtësi. Ndonëse jo tërësisht për shkak të luftës së Putinit, Evropa po përballet tani me sfida themelore aq të mëdha, apo edhe më të mëdha sesa kriza financiare e vitit 2008, Brexit apo pandemia e Covid-19.

E megjithatë, shumë politikanë të BE-së dhe Britanisë së Madhe po e mohojnë atë. Në rast

se siç parashikohej, ndërpriten plotësisht furnizimet me gaz nga Rusia, dhe nis kufizimi i energjisë, nuk do të kemi vetëm mbyllje fabrikash, vende pune të humbura dhe tregje në depresion.

Por edhe pensionistë që ngrijnë në shtëpitë e tyre, fëmijë të uritur, rafte bosh në supermarkete, rritje të kostos së jetesës në nivele të papërballueshme, zhvlerësim të pagave, greva dhe protestat në rrugë, që do tregojnë një situatë të ngjashme me atë që po ndodh së fundmi në Sri Lanka.

Një ekzagjerim? Në fakt jo. Kundërshtimi ndaj mbështetjes së Ukrainës, i nxitur nga e djathta ekstreme admiruese e Putinit, po forcohet ndjeshëm në Greqi dhe Itali, Holandë dhe Spanjë. Në perspektivë, është një prishje e solidaritetit të BE-së, pasi qeveritë kombëtare po garojnë midis tyre për burimet e pakta që janë në dispozicion.

Brukseli do të bëjë publike këtë javë një “plan gatishmërie për dimrin”. Por dispozitat e tij janë të paqarta dhe të pazbatueshme. Konteksti më i gjerë, është mungesa e një politike energjetike të miratuar dhe të zbatuar në mbarë BE-në.

Pavarësisht premtimeve të bashkëpunimit dypalësh, një ndërprerje totale e gazit rus mund të vendosë njërin vend kundër tjetrit, të rritë më tej çmimet dhe ta përçajë koalicionin anti-Moskë. Në një skenar të tillë, Putin do të kërkonte lehtësimin e sanksioneve në këmbim të rifillimit të furnizimeve, ashtu siç ka bërë për drithin ukrainas të bllokuar në portet e Detit të Zi.

Gjermania, e varur shumë nga importi, po ndërmerr tashmë hapa të njëanshëm, duke kërkuar furnizues alternativë të naftës dhe gazit. Një emergjencë e re kombëtare nisi kur Moska mbylli të hënën e kaluar gazsjellësin “Nord Stream I”. Shumë zyrtarë në Berlin kanë frikë (dhe disa ambjentalistë e shpresojnë këtë) se mbyllja e tij –  dhe çdo lloj racionim i mëvonshëm – mund të jetë e përhershme.

Zëvendës-kancelari i Gjermanisë, Robert Habeck, foli publikisht për një “makth politik”. Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, u duk po aq në panik javën e kaluar. Ai parashikoi një ndërprerje të afërt të gazit rus. Duke iu referuar Napoleonit, ai u kërkoi vendeve evropiane të pozicionoheshin në “rendin e betejës”.

Por ashtu si në fushatën ushtarake të vitit 1812, Rusia ka si aleat “Gjeneral Dimrin”. Sikur të mos mjaftonte mjerimi në rritje i miliona njerëzve, duhet të presim edhe ndikimin negativ të luftës tek përpjekjet për të adresuar krizat e klimës dhe të biodiversitetit.

Në Britaninë e Madhe dhe gjetkë, rrezikojnë të braktisen objektivat për zero emetime në atmosferë të gazrave serrë brenda disa dekadash. Për shkak se Evropa pritet të përballet me “konflikte dhe grindje shumë të forta” dimrin që po vjen për shkak të çmimeve të larta të energjisë, ajo duhet të rikthehet për një periudhë afatshkurtër tek karburantet fosile, deklaroi Frans Timmermans, zv/president i Komisionit Evropian.

Sërish Gjermania po tregon epërsi në këtë situatë, duke e shtuar prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet me qymyr. Dhe sërish, Perëndimi po e sheh shpëtimin tek sheikët tiranë të naftës në vendet e Gjirit Persik.

Një dimër kaotik në Evropë, mund të tensionojë edhe lidhjet e saj me SHBA-në. Sa për krahasim, rimëkëmbja e Amerikës pas pandemisë është më e avancuar. Ekonomia e saj është më e qëndrueshme, dhe energjia e saj kushton shumë më lirë.

Megjithatë, është lidershipi tepër i kujdesshëm i presidentit amerikan Joe Biden ndaj NATO-s, ai që e ka çuar Evropën në këtë ngërç gjeopolitik, edhe pse euro është aktualisht më dobët sesa dollari. Për siç po e ri-mësojnë evropianët me koston në kurrizin e tyre, të gjitha luftërat janë lokale.

Ndërkohë për amerikanët, të gjitha luftërat janë si gjithmonë të huaja. Sanksionet, ndihma ekonomike dhe masat e tjera jo-ushtarake të preferuara nga Biden, nuk do të ishin asnjëherë të mjaftueshme për ta gjunjëzuar Putinin. Disa analistë dyshojnë se një ngërç që përgjak dalëngadalë Rusinë, i përshtatet qëllimeve të SHBA-së, pavarësisht nga dëmet anësore. Megjithatë tani për tani, është Putini ai që po e përgjak dhe dëmton Evropën. Sanksionet po japin efektin e kundërt, ose po zbatohen keq. Të ardhurat e Putinit nga energjia po shtohen.

Dhe përveç ukrainasve, pasojat po ndihen në mënyrë disproporcionale edhe nga vendet më pak të pasura evropiane dhe ato në zhvillim. Tek rritet paqëndrueshmëria, divergjenca SHBA-Evropë do të ushqejë presionin për të ndryshuar kurs në raport me luftën.

Rrugëdalja më e mundshme është një marrëveshje e tipit “tokë në këmbim të paqes” me Putinin, e cila do të dakordësohet mbi trupat e pajetë të ukrainasve. Ky lloj pakti mbështet nga zëra me ndikim. Nëse Rusia do t’i kthehej biznesit si normalisht, kjo do të lehtësonte vuajtjet e Evropës, edhe pse ndoshta jo të Ukrainës.

Por një marrëveshje e tillë, do të ishte një precedent shumë i keq për paqen dhe sigurinë e ardhshme në Evropë dhe mbarë botën. Mjafton të mendoni për Tajvanin. Apo Estoninë.

Ajo do të shkatërronte integritetin sovran të Ukrainës demokratike.

Fatmirësisht, ka një alternativë:përdorimi i fuqisë dërrmuese të NATO-s, për ta rikthyer me vendosmëri fatin e luftës në terren. Siç e kam argumentuar më herët, veprimi i drejtpërdrejtë, i synuar dhe i fuqishëm perëndimor për të zmbrapsur Rusinë, nuk është një akt që na çon doemos drejt një Lufte të Tretë Botërore.

Kjo është e vetmja mënyrë e mundshme për t’i dhënë shpejt fund këtij tmerri, dhe për t’u siguruar që Putini, dhe ata që mund ta imitojnë atë, të mos kenë dorë të lirë të masakrojnë cilin duan pa dhënë asnjë llogari. Për të shkaktuar përçarje maksimale në Perëndim, Putini po kërcënon hapur qendrat e demokracisë evropiane.

Deklaratat e tij janë publike dhe nuk mund të shpërfillen më. Mjaft me masa gjysmak dhe me sjellje të lëkundura! NATO duhet të veprojë tani, për t’i detyruar trupat plaçkitëse të Putinit të kthehen brenda kufijve të njohur të Rusisë. Shpëtim nga kjo luftë nuk po kërkon vetëm Ukraina, por edhe Evropa.