Rusia ka goditur fituesin e çmimit Nobel për Paqe, Dmitry Muratov dhe gazetën e pavarur ruse, Novaya Gazeta, duke i gjobitur duke u bazuar në ligjin kontradiktor që i klasifikon mediat dhe OJQ-të “agjent të huaj”.

Tri nga mediat e pavarura, Mediazona, Muratov dhe Novaya Gazeta nuk ishin në dijeni se në Moskë po mbahej një seancë gjyqësore, duke u gjobitur të tri këto media me nga 2 mijë dollarë. Gjykata e rrethit Basmanny në Moskë i shpalli nobelistin Muratov dhe Novaya Gazeta fajtorë për mos përmendjen e statusit të “agjentit të huaj” të dy grupeve të lidhura me kritikun e burgosur të Kremlinit Alexei Navalny, tha ekipi ligjor i Novaya Gazeta për kanalin e lajmeve ChTD Telegram.

Muratov, kryeredaktori i Novaya Gazetës, mori Çmimin Nobel për Paqe këtë vit së bashku me gazetaren filipinase Maria Ressa në tetor për punën e tyre në promovimin e lirisë së shprehjes. Në një kërcënim të fshehtë pas fitores së Muratov, presidenti Vladimir Putin tha se “nuk ka asnjë arsye” për ta shpallur Novaya Gazeta një “agjent të huaj” nëse Muratov nuk shkel ligjin.

Mirëpo, Putin me politikat e tij, është duke i shtypur mediat e pavarura ruse, që kanë mbetur shumë pak. Ligji rus kërkon që të gjitha mediat dhe OJQ-të që marrin fonde nga jashtë të kategorizohen si “agjentë të huaj”, që punojnë kundër interesave ruse. Kjo ka ardhur për shkak se një pjesë e mediave të pavarura vareshin nga fondet e huaja dhe kritikonin Putinin për politika të gabueshme.

Mirëpo, plani i Putinit ka pasur rezultat, duke i detyruar një pjesë të madhe të mediave të mbyllen duke shuar veprimtarinë e tyre të pavarur.