Putin falënderon forcat speciale të Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë të dielën një adresim televiziv, në të cilin ka falënderuar ushtarët e forcave speciale që “janë duke përmbushur me heroizëm detyrat e tyre ushtarake” në Ukrainë.

Putin ka thënë se ushtarëve u është kërkuar të ofrojnë ndihmë për “popullin e republikave në Donbas” – referencë për dy rajonet e kontrolluara nga rebelët në lindje të Ukrainës, të cilat Rusia i ka njohur si shtete të pavarura para pushtimit.

“Dua të falënderoj komandën, personelin e forcave të operacioneve speciale, veteranët e njësiteve speciale për besnikërinë e tyre ndaj betimit dhe për shërbimin e përsosur në emër të Rusisë dhe tokës sonë të mrekullueshme”, ka thënë ai.

Ai e ka përfunduar mesazhin duke thënë: “Ju dëshiroj fat të mirë, sukses dhe të gjitha të mirat për ju dhe më të dashurit tuaj”.

Ky adresim është bërë për të shënuar ditën e forcave speciale të Rusisë, e cila festohet çdo 27 shkurt, prej vitit 2015.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit, shkruan REL.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.