Me supergolin e Ernest Muçit në pjesën e parë dhe me golin e Rey Manajt në pjesën e dytë, në ndeshjen jubilare, Shqipëria ka marrë pikët e plota përballë Finlandës.
Të enjten mbrëma në “Air Albania” të Tiranës, Shqipëria fitoi 2:0 në ndeshjen e parafundit të Grupit C1 dhe e ka mbajtur vendin e parë.
Për Shqipërinë është fitore me vlerë të trefishtë.
Vendi i parë në grup siguron avancimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, që është niveli i dytë.
Vendi i dytë siguron vazo më të favorshme në shortin për Evropianin 2028, por edhe plejofin për avancim në ngjarjen kontinentale pas dy vjetësh.
Shqipëria kishte shumë raste për gol. Por, për 1:0 realizoi në minutën e 35-të. Muçi realizoi me gjuajtje mjeshtërore në portën e portierit Lukash Hradecky të Monacos, i cili u shqua me disa pritje në pjesën e parë.
Rezultatin përfundimtar të ndeshjes e vendosi Manaj me golin e minutës së 50-të, në paraqitjen jubilare të tij me “kuqezinjtë”, të 50-tën.
Finlanda mbeti me një futbollist më pak në fushë nga minuta e 67-të, kur pas një ndërhyrjeje shumë të ashpër në Muçin, Miro Tenho u përjashtua direkt me të kuq.
Shqipëria i prin grupit me 12 pikë, dy më shumë se Bjellorusia që fitoi në udhëtim te San Marino 2:0. Finlanda mbetet e treta me shtatë pikë.
Shqipëria ndeshjen e radhës e ka më 15 nëntor në Budapest të Hungarisë.
Finlanda e pret San Marinon.







