Kryeministri Albin Kurti i kishte thënë Halil Thaçit të hapnin konkurs për punësim në KEK. Kështu të paktën pretendon vetë Thaçi, tash kryetar i Obiliqit, në një audio-incizim të publikuar nga VOX Kosova.
Në incizim, Thaçi rrëfen një bisedë që pretendon se e kishte zhvilluar me Kurtin për hapjen e konkursit për 150 vende pune në KEK.
“Edhe më tha: ‘Hajde po e çelim këtë konkurs.’ Tha edhe: ‘Hupe, fitove, rriju në fjalë njerëzve sa të mundesh.’”, dëgjohet duke thënë Thaçi.
Sipas tij, konkursi ishte hapur me ndërhyrjen e Kurtit, pikërisht gjatë balotazhit për zgjedhjet komunale të vitit 2021.
“Albin Kurti mua ma ka çelë këtë konkurs veç për Obiliq”, pretendon Thaçi në incizim.
Konkursi për 150 vende pune ishte hapur më 6 nëntor 2021, tetë ditë përpara balotazhit, të cilin Thaçi e kishte humbur përballë Xhafer Gashit.Reklamë
Megjithatë, sipas rrëfimit të tij, përpjekjet për punësime kishin vazhduar edhe pas humbjes së zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, Kurti, më 5 prill 2022, kishte mohuar publikisht se në KEK kishte pasur punësime të militantëve partiakë.
“Nuk ka punësim të militantëve. Ka komisione të cilat e bëjnë një vlerësim, pasi që ka teste edhe me shkrim, edhe me intervistim, dhe gjithashtu ka edhe të drejtë ankese”, kishte deklaruar Kurti.
Pretendimet e Thaçit për bisedën me Kurtin nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. Konkursi ishte anuluar në maj të vitit 2022, pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.







