Pushteti nis rrugën ligjore për largimin e kryetarëve në veri, nuk zgjedh ‘preferencën’ e BE-së

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë një vendim gjatë ditës së djeshme për caktimin e një Grupi Punues që do të hartonte Udhëzimin Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largonte kryetarët e komunave në veri të vendit.

Bashkimi Evropian (BE) e ka thënë haptas që preferon dorëheqjen e kryetarëve si një rrugë më të shpejtë drejt zgjedhjeve të reja.

Por, si duket pushteti ka marrë rrugën tjetër: atë që do të bënte largimin e kryetarëve përmes një iniciative qytetare.

Në dokumentin e nënshkruar nga ana e ministrit Elbert Krasniqi ky grup e ka zgjedhur kryesues z. Besim Myrtezani, ndërsa si anëtarë Xhevat Tavën, Fetije Begollin e Flurim Arifin.

Ky grup do ta ketë përgjegjësinë për “hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.”

Afati që i është dhënë është deri më 1 shtator.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka deklaruar gatishmërinë e saj për përgatitjen e bazës ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Megjithatë, kryeministri dhe zv.kryeministri kanë pasur deklarata të çuditshme duke lënë të nënkuptohej se zgjedhjet do të mbaheshin vetëm pas heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Këto masa ndëshkuese nuk janë hequr edhe më tej.

Zv. kryeministri Bislimi ishte cituar duke thënë se “Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja.”

Edhe më tej nuk dihet nëse serbët e vendit do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.

Pushteti ende nuk ka treguar se çfarë do të ndodhte pas Udhëzimit Administrativ.