Një sulm e linçim skandaloz ka nisur nga figura të larta të Vetëvendosjes, kundër kryeprokurorit të Speciales, Blerim Isufaj.

Kjo pasi një media e afërt me VV-në raportoi se “kryeprokurori Isufaj ka dhënë urdhër për hetimin e ndërtimit të dy urave mbi Ibër”.

Kjo u shpërnda nga deputetë të shumtë të VV-së, që sulmuan me gjuhë të ashpër Prokurorinë Speciale.

Megjithatë, Prokuroria Speciale në një përgjigje për Nacionalen, kanë theksuar se nuk po hetohet projekti infrastrukturor, por tenderët të cilët janë dhënë me procedurë të negociuar. E të tillë, Prokuroria Speciale i ka në hetim mbi 2 mijë kontrata.

“Prokuroria Speciale nuk e ka në kompentencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. PS-ja, nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, i ka aktualisht në trajtim afër 2 mijë kontrata një burimore. Bazuar në këtë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Arbnora Luta.

“Ky hetim nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”, thuhet më tutje.