Zgjedhjet

Pushteti i gatshëm për ndërprerjen e mandatit: Presim që opozita të jetë serioze në thirrjet për zgjedhje

Pushteti është shprehur i gatshëm për ndërprerjen e mandatit qeverisës. Derisa partitë opozitare nuk po mund të pajtohen për mënyrën e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, subjektet politike të pushtetit kanë treguar gatishmëri të plotë për të ia plotësuar dëshirën opozitës për zgjedhje të reja.

Përfaqësuesit e VV-së dhe partisë “Guxo” kanë thënë se zgjedhjet e reja janë në dorë të opozitës.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Donika Gërvalla, njëra nga kryetarët e partisë Guxo, ka thënë se opozita duhet të jetë serioze në kërkesën e saj për zgjedhje.

“Tre vitet e fundit, puna e qeverisë së zgjedhur më 14 shkurt të vitit 2021, ka qenë e shoqëruar me suksese të cilat nuk janë pritur para zgjedhjes sonë nga askush. Nuk bëhet fjalë vetëm për zhvillimin ekonomik. Sundimi i ligjit, rritja e standardeve të demokracisë, por edhe sukseset e jashtëzakonshme në ngritjen e nivelit ekonomik të vendit, në punësim, në të ardhurat nga taksat, doganat etj. Këto kanë dëshmuar se kjo qeveri është e sigurt, i ka plotësuar pritshmëritë dhe madje i ka tejkaluar ato shumëfish. Megjithatë, nëse opozita në Kosovë është e mendimit që duhet të shkojmë në zgjedhje të reja dhe ka një konsensus për këtë, ne nuk do ta pengojmë këtë proces”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se do të ishte më mirë që zgjedhjet të mbahen në kohen kur dita është më e gjatë.

“Por, ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje në mënyrë selektive, me partnerë selektivë nga opozita. Ne presim që opozita të jetë serioze në thirrjet e saj për zgjedhje dhe mos ta bëjë këtë vetëm nëpër media, aty ku nuk vendoset për zgjedhje të reja. Ne jemi të gatshëm kurdo që opozita të jetë e gatshme. Ne mendojmë se do të ishte më mirë që zgjedhjet të mbaheshin gjatë ditëve të gjata se sa në ditët e shkurtëra të dimrit. Megjithatë, ne jemi të gatshëm edhe që ta çojmë mandatin tonë deri në fund. Kjo do të ishte hera e parë që një qeveri e zgjedhur do ta çonte deri në fund mandatin pas pavarësimit të vendit”, ka thënë ajo.

Edhe shefja e Grupit Parlament të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë me dije se vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm nëse do opozita.

“Në raport me zgjedhjet kemi qenë dhe mbesim të hapur për diskutim, por derisa vjen për diskutim një kërkesë e përbashkët e opozitës. Deri tani nuk ka pasur, që e ka sjellë situatën paksa paradoksale, pasi opozita nëse kërkon zgjedhje duhet të dakordohet për mënyrën si shkohet në zgjedhje”, ka thënë ajo në një intervistë për Kosovapress.

Ajo ka përmendur faktin se opozita nuk është unike në qëndrimet e saj.

“Ne kemi thënë se vetëm njëra prej propozimeve të opozitës, pasi tri parti kanë ardhur me tri propozime. Për ne është e pranueshme vetëm shpërndarja e Kuvendit. Një dakordim i përbashkët qoftë për javën apo muajit, në mënyrë që të kemi dakordim pastaj për datën e zgjedhjeve. Përveç PDK-së që ka kërkuar të njëjtën, LDK-ja kërkon dorëheqjen e kryeministrit që nuk është e pranueshme dhe bëshme, ndërsa AAK-ja tashmë e dy muaj ka kërkesën për debat dhe mocionin që natyrisht nuk kalon”, është shprehur deputetja e VV-së.

Opozita me qëndrime të ndryshme

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë reaguar ndaj letrës së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili kërkon konsensus për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesit e dy partive opozitare kanë bërë me dije se qëndrimet e tyre i kanë bërë publike edhe më herët. Ata ia kanë bërë të qartë PDK-së së se përfundimisht nuk e përkrahin iniciativën e tyre për ta çuar vendin në zgjedhje të reja përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se kjo parti do t`i përgjigjet zyrtarisht të hënën kryetari të PDK-së, Memli Krasniqi.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Tahiri ka thënë se qëndrimin i AAK-së për përfundimin e mandatit të Qeverisë Kurti është publik.

Ai ka thënë se AAK-ja dëshiron që kjo Qeveria ta përfundojë mandatin me dorëheqje ose me shkarkim.

“Të premten pasdite e kemi pranuar letrën e Kryetarit të PDK-së, z. Memli Krasniqi. Njoftimi me shkrim për pozicionin e tyre politik dhe kërkesën për koordinim ndër opozitar është hap i nevojshëm. Si parti gjithsesi se do t’i kthejmë një përgjigje e cila është në linjë me pozicionet tona tani publike. Qëndrimi ynë është se kjo qeveri duhet ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me mocion për shkarkimin e saj, të propozuar nga AAK”, ka thënë ai.

Ndaj letrës së PDK-së ka reaguan edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, k thënë se ideator i vërtetë i kësaj nisme është Albin Kurti dhe jo PDK-ja.

Ai ka thënë se përgjigjen për këtë iniciativë ia kanë kthyer Kurtit.

“Përgjigjen dhe qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kemi kthyer tashmë ideatorit të vërtetë të kësaj nisme, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje z. Albin Kurtit”, ka thënë Mustafa.