Organizata Amnesty International njofton se në të gjithë botën, të paktën 7 mijë punonjës shëndetësorë kanë vdekur nga koronavirusi.

Organizata thotë se ata që luftojnë me pandeminë në vijat e para të frontit kanë nevojë për qasje të duhur në pajisjet mbrojtëse.

“Çdo punonjës shëndetësor ka të drejtën të jetë i sigurt në punë dhe është një skandal që kaq shumë po paguajnë këtë çmim”, tha Steve Cockburn, shef i drejtësisë ekonomike.

“Shumë muaj në pandemi, punëtorët shëndetësorë ende po vdesin me ritme të tmerrshme në vende të tilla si Meksika, Brazili dhe SHBA-ja, ndërsa përhapja e shpejtë e infeksioneve në Afrikën e Jugut dhe Indi tregon nevojën që të gjitha shtetet të ndërmarrin veprime”, tha ai .

Të paktën 1.320 punonjës shëndetësorë kanë vdekur nga koronavirusi në Meksikë, më shumë se në çdo vend tjetër në botë.

Organizata e të drejtave të njeriut theksoi se duhet të ketë bashkëpunim global për të siguruar që të gjithë punonjësit shëndetësorë, duke përfshirë pastruesit në objektet shëndetësore, të kenë pajisje të përshtatshme mbrojtëse.