​Punëtorët shëndetësorë pa kontratë kolektive, në qershor presin finalizimin e saj

Nga viti i kaluar punëtorët shëndetësorë në sektorin publik kanë mbetur pa kontratë kolektive sektoriale. Një draft të këtij dokumenti të rëndësishëm tashmë Federata Sindikale e Shëndetësisë e ka dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe po presin që brenda qershorit të finalizohet kontrata e re, për të cilën si organizatë kanë propozuar edhe disa risi si ajo për pagën e 13-të për punëtorët shëndetësorë.

Ndërsa, vetë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi për KosovaPress se janë duke punuar në këtë drejtim dhe se kjo kontratë do të zbatohet në përpikëri.

Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri deklaron se kërkesat e punëtorëve shëndetësorë janë pothuajse të njëjta, veçse tashmë është përfshira edhe pagesa e shujtës si dhe paga e 13-të.

Ajo tha se tashmë pas dërgimit të draftit të kontratës kolektive në Ministrinë e Shëndetësisë, presin që së shpejti të zhvillojnë një takim në kuadër të dialogut social.

“Jemi në procedurë të bërjes kemi bërë një draft-kontratë e kemi dërguar në ministri dhe po presim takimin e radhës për të biseduar për kërkesat të cilat i kemi shkruar në draft-kontratën kolektive sektoriale… Tash është risi shujta e cila nuk ka qenë pjesë e kontratës kolektive të cilin e kemi futur tani në draft-kontratë, kemi kërkuar rrezikshmëri, gatishmëri dhe shumë benefite të tjera që po presim të finalizohet shpejtë. Ne e kemi kryer anën tonë tash është duke e analizuar zyra ligjore e MSH dhe po presim shumë shpejt takimin e radhës… Kemi kërkuar pagën e 13-të dhe pagat jubilare të cilat kanë qenë pjesë edhe asaj kontratës kolektive të shohim se çka po nxjerrim prej kësaj. Por besoj që punëtorët shëndetësorë e meritojnë pagën e 13-të sepse ju e dini se me çfarë orari punojnë”, theksoi ajo.

Kryesindikalistja Imeri shprehet optimiste që brenda muajit qershor të finalizohet kontrata e re kolektive sektoriale.

Sipas saj, punëtorët shëndetësorë janë të revoltuar pasi nga viti i kaluar janë pa kontratë kolektive, madje Imeri thotë se po kërkojnë edhe protesta e greva.

“Po besoj që duhet të fillojë zbatimi përndryshe nëse prologohet 7-8 muaj nuk ka kuptim që të bëhet më sepse ashtu kështu jemi në këto dilema për shkak të shkëputjes së njëanshme të kontratës së mëhershme… Po besoj që edhe ministria tash është e gatshme të ulet nëse nuk mund të gjitha pikat t’i arrijmë mund t’i arrijmë disa të cilat janë më lehtë të prekshme dhe për pikat të cilat kanë implikime buxhetore mund t’u japim kohë më shumë… Po besoj që brenda qershor deri në fund të qershor duhet të realizohet ose ne jemi duke bërë presion të vazhdueshëm sa më shpejt ë për arsye se ne kemi presion nga baza nga punëtorët shëndetësorë të cilët janë në vazhdimësi dhe po kërkojnë protesta e greva pse jemi pa kontratë, pse nuk po e realizojnë më shpejt”, shprehet Imeri.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh për KosovaPress se aktualisht për kontratën kolektive po zhvillohet dialogu social, për çka shprehu përkushtimin maksimal që të përfshihen kërkesat e personelit mjekësor.

Sipas tij, kontrata kolektive sektoriale e ardhshme do të zbatohet në tërësi.

“Kanë kërkesat e tyre edhe të arsyeshme bazuar nga insistimet nga personeli shëndetësor dhe grupi punues për dialog social tashmë siç jeni të informuar është formuar dialogu social ka filluar dhe në momentin e parë kur do të përfundoj ky dialog social dhe do të ketë kontratë kolektive ndoshta edhe më herët do ta bëjmë publike edhe për profesionistët shëndetësor… është dialog social në të cilin do të ketë kërkesa nga ana e Federatës Sindikale të Shëndetësisë do të jetë impenjim maksimal nga ministria e Shëndetësisë dhe nga Qeveria e Kosovës për tu bërë kompromiset e nevojshme në këtë drejtim, por atë çka mund ta siguroj edhe në këtë drejtim për dallim nga kontrata kolektive e nënshkruar në vitin 2018 në një kohë parazgjedhor dhe fatkeqësisht nuk është zbatuar kurrë ashtu si duhet atë çka mund të garantoj…çdo kontratë kolektive që do të dal si produkt i këtij dialogut që do ta kemi me Federatën Sindikale të Shëndetësisë do të implementohet deri në pikën e presjen e fundit”, shprehet ministri Vitia.

Ndërsa, anëtari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Shemsedin Dreshaj theksoi se nga viti e kaluar punëtorët shëndetësorë kanë mbetur pa kontratë kolektive, prandaj e sheh të domosdoshme sa më shpejtë hartimin e saj.

Deputeti nga radhët e AAK-së thekson se për këtë kontratë duhet të ketë pajtueshmëri në mes të punëtorëve shëndetësorë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Kontrata kolektive e cila ka qenë deri në vitin e kaluar ka qenë kontratë e cila është implementuar ka nënkuptua shumë çka brenda kësaj. Dhe tash aktualisht jemi pa kontratë kolektive, kërkohet hartimi i kontrate kolektive të re dhe të nënshkruhet kontrata kolektive së bashku me punëtorët shëndetësore. Kontrata i ka disa kushte brenda dhe ajo varet se si duhet të hartohet dhe në bazë të asaj të pajtueshmërisë në mes punëtorëve dhe ministrisë atëherë hartohet teksti i kontratës kolektive….Sa i përket domosdoshmërisë, kjo është e domosdoshme dhe çdo vend ka kontratë kolektive”, u shpreh Dreshaj.

Vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë iu ka shkëputur kontratën kolektive sektoriale punëtorëve të shëndetësisë me arsyetimin se është me afat të skaduar.