Psikiatri Rexhepi: Me ‘rriNshpi’ jemi ndier si në burg, është dashur të fillohej me ‘kënaqu në shtëpi’

Psikiatri Sami Rexhepi, thotë se pas pandemisë do të vijnë në shprehje problemet e shëndetit mendor.

“Në aspektin e shëndetit mendor ka qenë sfiduese për popullatën ajo “rrinshpi”, sikur të kishim startuar me “kënaqu në shtëpi” derisa ta fitojmë këtë betejë kishim me e ndier veten si kontribuues dhe si luftëtarë. Ndërsa rri në shtëpi e kemi ndier veten si të burgosur”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi ka thënë se kjo ka qenë një situatë e re edhe për mjekët kundër një armiku të rrezikshëm që mund të vritet me sapun.

“Kjo ka qenë një situatë plotësisht e re për komplet një gjeneratë të mjekëve, një situatë me të cilën jemi ballafaquar e tërë bota. Kjo ka qenë një luftë botërore kundër një armiku shumë të rrezikshëm i cili vritet me sapun. Mirëpo kemi pasur informata aq të pakta, dhe kjo ka shkaktuar një frikë edhe në mesin e shkencëtarëve. Kosova është futur në këtë luftë padasht”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka lavdëruar punën që kanë bërë mjekët dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Prej popullatës është kërkuar që të qëndrojë në shtëpi. Je një ushtar dhe duhet të qëndrosh në shtëpi. E kemi pasur një udhëheqje shumë të mirë nga IKSHPK, kanë qenë komandantë të përkryer në këtë betejë. Kemi pasur një mbështetje politike nga MSH-ja”, ka thënë ai.

Sipas Rexhepit do të duhej të nisej me fushatën “kënaqur në shtëpi”, pasi sipas tij do të ishte më efektive.