PSG synon ta zëvendësojë Neymarin me Dybalan

Sulmuesi argjentinas mund të përfundojë në klubin nga Ligue 1 gjatë kësaj vere

“Telenovela” Paulo Dybala po vazhdon edhe në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës.

Juventusi po mendon ta sistemojë në një klub tjetër sulmuesin argjentinas, por nuk e ka marrë ende ofertën e kënaqshme për të.

Pasi afati kalimtar në Angli është mbyllur dhe klubet spanjolle kanë objektiva tjerë, opsione të vetme të ish-futbollistit të Palermos mbesin Italia dhe Franca.

Në Itali lojtarin e pëlqen Interi, kurse në Francë qe një kohë interesim për të kishte shfaqur Paris Saint-Germaini.

Madje, mediumi britanik “The Mail” shkruan se klubi francez do t’i hap bisedimet me Juventusin, të cilit do t’ia ofrojë 80 milionë euro për përfaqësuesin argjentinas.

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo do të mundohet ta mbyll këtë çështje deri të mërkurën, ndërsa për realizimin e këtij kalimi po merret edhe menaxheri i lojtarit, Jorge Antun.

Gjatë verës, Dybalan e kërkonin edhe Manchester Unitedi dhe Tottenhami.