Ish trajneri i Arsenalit

PSG synon që ta emërojë Wengerin drejtor sportiv

Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, mund të emërohet në pozitën e drejtorit sportiv të Paris Saint-Germainit, pasi që klubi nuk është i kënaqur me punën që po e bën Antero Henrique. Emërimi i Wengerit pritet të bëhet gjatë verës së ardhshme.

Eksperti i futbollit francez, Jonathan Johnson, pret që Henrique të shkarkohet nga pozita e drejtorit sportiv, pasi që pronarët e PSG-së janë të zhgënjyer që ai nuk arriti ta transferojë Frenkie De Jongun.

Barcelona e zyrtarizoi të martën transferimin e yllit të Ajaxit, De Jong, për një shumë fillestare prej 75 milionë eurosh. Mesfushori holandez do t’i bashkohet Barcelonës në fund të këtij sezoni, në një kontratë pesëvjeçare. Në garë për të ishin edhe Manchester City e Paris Saint-Germaini.

Wengeri u largua nga bota e futbollit, për një kohë të pacaktuar, në fund të sezonit të kaluar. Tifozët e Arsenalit e kishin kërkuar shkarkimin e tij për shkak të paraqitjeve dhe rezultateve të dobëta gjatë viteve të fundit. Në fund, Wengeri u largua pas 22 vjetëve me klubin londinez.

“Mund të ndodhë, por ai nuk do ta kryente rolin vetëm si drejtor sportiv, por më shumë si menaxher i përgjithshëm. Natyrisht, kjo përfshin edhe përgjegjësinë e drejtorit sportiv, por Wengerit do t’i ofrohej më shumë liri, veçanërisht me akademinë e klubit”, ka thënë Johnson.

“PSG-ja gjithmonë e ka vlerësuar Wengerin, në të kaluarën ata e donin si trajnerit, ndërsa tani ata e preferojnë atë si anëtar të stafit. Ata e duan respektin dhe prestigjin që vjen me një personalitet si Wengeri”.

“Ai ka një marrëdhënie shumë të mirë me pronarët e PSG-së dhe ata e duan dikë i cili respektohet shumë në futboll. Që nga largimi i tij nga Arsenali, arritja e kësaj marrëveshjeje është pritur gjithmonë e më shumë”