PSG refuzon ofertën e Real Madridit për Neymarin, 100 milionë euro dhe 3 yje

Merkatoja e futbollistëve po i afrohet fundit dhe braziliani Neymar mbetet emri më i rëndësishëm që duhet të vendosë të ardhmen e tij.

Barcelona, Real Madridi dhe Juventusi mbeten destinacionet e mundshme të tij, pa përjashtuar mundësinë që të qëndrojë në “Parque des Princes”.

Sipas prestigjiozes franceze “L’Equipe”, PSG ka refuzuar të enjten ofertën e parë të Real Madridit, që përfshinte përveçse një shumë të majme parash, edhe tre futbollistë. Më konkretisht, presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez, ka ofruar 100 milionë euro, plus tre emra të rëndësishëm si Keylor Navas, Gareth Bale dhe James Rodríguez.

“L’Equipe” shton gjithashtu se më parë PSG ka hedhur poshtë edhe ofertat e tjera nga Barcelona dhe Juventusi për yllin brazilian.

Neymar ka mbetur jashtë skuadrës që në këtë fillim sezoni, zyrtarisht, për arsye teknike, por në Francë vazhdojnë të këmbëngulin se po të jetë në dorë të trajnerit gjerman, Thomas Tuchel, ai do të përfshihet në formacion për takimin e radhës të kampionatit francez, kundër Toulouse, të dielën, në orën 21:00.

Situata e Neymarit në Paris është shumë e vështirë, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me tifozët, por edhe për qëndrimin e tij të palëkundur për t’u larguar nga Ligue 1.

Neymar u largua 2 vite më parë nga Barcelona, pasi PSG pagoi shumën rekord 222 milionë euro. Ai është i vendosur për t’u kthyer në “Camp Nou”, qëndrim që e ka ndihmuar Barcelonën në bisedimet me klubin parisien, ndonëse ende nuk është arritur marrëveshja përfundimtare.

loading…