PSG-ja padit “Football Leaks” për falsifikim të dokumenteve

Në përgjigje ndaj pretendimeve të bëra nga “Football Leaks” për parregullsitë financiare të Paris Saint-Germainit, presidenti i klubit francez, Nasser Al-Khelaifi, dhe avokatët e tij e kanë lëshuar një deklaratë ku bëjnë të ditur se po e padisin “Football Leaks” për falsifikim të dokumenteve.

PSG-ja kishte qenë në qendër të vëmendjes mediatike pas publikimit të informatave të Football Leaks, kur u bë e ditur se klubi francez i kishte falsifikuar marrëveshjet me sponsorë në atë mënyrë që t’i ikë ndëshkimit nga UEFA.

Për momentin, gjiganti francez është duke u hetuar nga UEFA dhe nëse pretendimet e Football Leaks rezultojnë të jenë të vërteta, atëherë PSG-ja rrezikon t’iu ndalohet pjesëmarrja në garat evropiane.

Incidenti i fundit kontrovers rreth Al-Khelaifit vjen si rezultat i lajmeve që sugjerojnë se ai ia kishte paguar dy milionë euro agjentit të Javier Pastores për ta transferuar futbollistin në Parc des Princes.

“Është e qartë se këto dokumente janë të rreme. Tani që gjithçka është publike, është e qartë se dokumentet janë të falsifikuara dhe ato dokumente nuk janë publikuar, shkruar apo nënshkruar nga Al-Khelaifi”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga kampi i presidentit të PSG-së.

“Klienti ynë do të bëjë ankesë ndaj kësaj medie për përdorim të dokumenteve të falsifikuara”.

loading…