PSG-ja mposht St. Etiennen, fiton edhe kupën

Braziliani Neymar ishte vendimtar në triumfin e PSG-së në Kupën e Francës. Skuadra parisiene me rezultat minimal fitoi kundër St. Etienne në finalen e zhvilluar në Stade de France, ku ishte i pranishëm vetëm një numër i limituar i të pranishmëve.

PSG-ja golin e vetëm në këtë duel e shënoi në minutën e 14-të. Gjuajtja e Kylian Mbappes u devijua nga portieri kundërshtar, dhe nga topi i kthyer përfitoi Neymar që ishte i saktë. Parisi vazhdoi me lojë të mirë, por nuk arriti të shënojë më.

Sidoqoftë, skuadra e humbi Mbappen, i cili u zëvendësua në minutën e 33-të. Në të u bë ndërhyrje tejet e ashpër nga Loic Perrin i cili u ndëshkua me të kuq. Mbappe u largua nga loja i përlotur. Të drjetuarit e trajnerit gjerman Thomas Tuchel tani e kanë të fituar elitën e futbollit francez, Kupën e Francës, dhe janë në rrugë të mirë për të triumfuar edhe në Kupën e Ligës dhe në Ligën e Kampionëve.

Ky ishte trofeu i 13-të i Kupës së Francës i fituar nga PSG-ja. Nga ana tjetër, St. Etienne e kërkoi trofeun e parë që nuk e ka fituar prej vitit 1977. Kjo ishte ndeshja e parë e zhvilluar në Francë në katër muaj, pasi futbolli francez përfundoi më herët për shkak të pandemisë.