PSG futet në garë për shërbimet e Tonalit

Kampioni i Francës, Paris Saint-Germaini, po kërkon transferimin e mesfushorit italian Sandro Tonali, i cili pëlqehet nga trajneri Thomas Tuchel.

“L’Equipe” të hënën ka raportuar se PSG-ja po synon transferimin e Tonalit gjatë këtij muaji dhe për kartonin e tij do të paguajë dëmshpërblim deri në 40 milionë euro. Tonali 19-vjeçar këtë edicion ka treguar paraqitje të mira me Brescian, me të cilin ekip ka kontratë deri në fund të edicionit 2020/21.

Tonali ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy asistime në 19 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat. Ai është produkt i akademisë së Brescias, kurse me ekipin e parë ka debutuar në vitin 2018. Tonali gjithashtu ka edhe tri paraqitje me Përfaqësuesen e Italisë.

Krahas PSG-së, interesim për Tonalin kanë treguar edhe Juventusi, Interi e Manchester City.