Mero Baze

Pse Shqipëria e meriton vendin “mikpritës” të Samitit të Berlinit?

Nga Mero Baze

Samiti i Berlinit që nis të dielën në Tiranë, është i nënti në radhë prej vitit 2014, kur kancelarja Anxhela Merkel u bë iniciatorja e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, por është i pari Samit që bëhet jashtë territorit të Bashkimit Evropian. Procesi i Berlinit është një iniciativë e kancelares Merkel, përmes të cilit synohet të ruhet ritmi i integrimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian, si dhe një mënyrë për ta mbajtur gjallë dialogun politik mes këtyre vendeve.

Procesi nisi simbolikisht njëqind vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, e cila po ashtu e pati zanafillën në Ballkan, dhe bashkoi krerët e qeverive, ministrat e Jashtëm dhe ministrat e Ekonomisë, së Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian, më 28 Gusht 2014.

Fakti që ky Samit zhvillohet për herë të parë jashtë Bashkimit Evropian në Shqipëri, nuk është rastësi.

Përveç Kroacisë dhe Sllovenisë që janë vende të Bashkimit Evropian, gjashtë vendet e tjera kandidate për në BE, kanë një sërë problematikash në raport me Bashkimin Evropian, nga të cilat Shqipëria është më pak e prekur.

Së pari, Shqipëria është vendi i vetëm nga gjashtë vendet kandidate për në BE, nga Ballkani Perëndimor, që nuk ka probleme të konflikteve etnike dhe shfaqje të nacionalizmit me fqinjët e saj.

Ajo ka marrëdhënie të mira me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, që i ka fqinjë, dhe po ashtu raporte normal me Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën.

Në ndryshim nga Shqipëria, të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë probleme të hapura me njëra- tjetrën. Serbia ka probleme të rënda me Kosovën dhe Bosnjën dhe probleme të mprehta politike me Malin e Zi. Maqedonia ka probleme me Bullgarinë, Bosnja ka probleme me Serbinë, e kështu me radhë. Serbia është vendi me më shumë probleme me fqinjët e saj, dhe që përgjatë dhjetë viteve nuk ka mundur dot të krijojë profilin e një vendi me pritshmëri pozitive për anëtarësimin në BE sa i takon politikave me fqinjët dhe orientimin të saj gjeopolitik nga BE.

Së dyti, Shqipëria është vendi më i hapur sa i takon ideve për një treg të hapur ballkanik të punës për një tregti të lirë dhe shkëmbime doganore, për shkëmbimin e teknologjisë dhe mallrave. Të gjitha vendet e tjera për shkak të problemeve të natyrës politike apo etnike, janë të rezervuara në këto procese.

Së treti, Shqipëria ka ndërmarrë reformën më të guximshme në drejtësi, ideuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, duke u përpjekur të krijojë një mjedis të sigurtë për investimet e huaja në Shqipëri dhe garanci se çdokush do të trajtohet sipas një standardi drejtësie perëndimor, një kërkesë esenciale kjo për t’u anëtarësuar në BE. Kjo reforme nuk është ndërmarrë ende në asnjë vend tjetër të Ballkanit perëndimor, madje pas përvojës së Shqipërisë dhe kostos së lartë të saj, disa prej vendeve e kanë Shqipërinë si shembull të keq ndëshkimi për këtë.

Së katërti, Shqipëria ka një politikë të jashtme tërësisht pozitive, dhe një rekord pozitiv në rritje sa i takon udhëheqjes së organizatave ndërkombëtare, siç ka qenë kryesimi për një vit i OSBE më 2020 dhe drejtimi i Këshillit të Sigurimit, të cilat i kanë dhënë politikës së jashtme të Shqipërisë një dimension më serioz në arenën ndërkombëtare, duke afishuar aleancën e saj me SHBA dhe Bashkimin Evropian.

Së fundmi, Shqipëria dhe ka demonstruar se është gati të paguajë kosto politike për të ruajtur standardet e politikës perëndimore në Shqipëri. Ajo ka hyrë në një debat të lodhshëm politik me Greqinë, për shkak të arrestimit të një kandidati bashkiak, kandidat nga partia e Berishës, por që është me origjinë nga pakica greke në Shqipëri. Bashkimi Evropian dhe SHBA e kanë konsideruar arrestimin problem të drejtësisë shqiptare dhe kanë bërë thirrje të gjykohet sipas standardeve të imponuara nga reforma në drejtësi, ku nuk mund të ketë ndikim as kryeministri i Shqipërisë, as ai i Greqisë. Dhe kjo ka krijuar një problem me Greqinë.

Po ashtu, qeveria e Shqipërisë është një debat të hapur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka refuzuar vazhdimisht rekomandimet e SHBA dhe Bashkimit Evropian për dialogun në veri të Kosovës. Madje dhe pas ngjarjes së rënd të 24 shtatorit, ku paramilitarë serb sulmuan sovranitetin e Kosovës, retorika e Albin Kurtit vazhdon të jetë e drejtuar kundër SHBA dhe BE, duke e përdorur sulmin terrorist si një arsye kundër këshillave perëndimore. Shqipëria është në anën e SHBA dhe BE në këtë konflikt, dhe vazhdon të këmbëngulë që qeveria e Kosovës duhet të ruajë aleancën me Perëndimin për të fituar betejën në paqe me Serbinë.

Ky debat tani është kthyer në ushqim për politikat e ditës dhe politikat populiste të Albin Kurtit, duke qenë realisht një nga problemet e direktivave të Procesit të Berlinit.

Së pesti, Shqipëria ka shënuar rekordet më të mira në betejën kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Drejtësia shqiptare është e lirë të dënojë zyrtarë të lartë dhe shumë nga ministrat, deri një zëvenndëskryeministër, janë nën gjykim për korrupsion, ndërsa rreth 80 zyrtarë të lartë janë në ndjekje penale.

Janë po ashtu rreth 5 kryetarë bashkie dhe disa ish- funksionarë të opozitës dhe të afërm të ish- kryeministrit që ishte në pushtet para vitit 2013.

Kjo është një shifër e pakrahasueshme me vendet e tjera.

Ajo qe duhet te lobojë Shqipëria dhe te çojë përpara është forcimi i mekanizmave monitorues te procesit, duke i kërkuar BE-se, Parlamenteve te vendeve te rajonit dhe shoqërisë civile, procese rigoroze monitorimi ne lidhje me premtimet dhe detyrat qe merren përsipër nga ky proces. Kjo ka rëndësi që procesi mos te katandiset ne një paradë ku palët paraqiten njëherë ne vit dhe shtrëngojnë duart, por marrin zotime konkrete dhe ç’është me e rëndësishme, i zbatojnë ato.

Ky proces ka ngelur i vetmi i gjithëpranuar nga vendet e Ballkanit dhe për këtë arsye duhet t’ia vlejë investimi në monitorim dhe arritjen e objektivave konkrete, dhe jo vetëm një xhiro vjetore. Çdo shtet duhet të japë llogari për zotimet që merr çdo vit, pasi kalohet nga tema në temë pa dhënë llogari.

Dy vende si Bosnja dhe Kosova, të cilat kanë probleme të forta me Serbinë, duhet ta shfrytëzojnë këtë proces për të avancuar statusin e tyre, pasi është i vetmi forum ku gjithë palët pranojnë njëra- tjetrën. Ndaj ato duhet ta shikojnë si mundësi për të avancuar dhe jo si një shans për të demonstruar refuzimin e tyre.

Për gjithë këto arsye, Shqipëria e krahasuar me 5 vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, është vendi me më shumë përputhshmëri të politikave të saj dhe arritjeve të saj me rekomandimet e Procesit të Berlinit. Është kjo arsyeja që ky Samit, i nënti në radhë, për herë të parë po del jashtë BE dhe po vjen në Shqipëri.

Dhe ky është një bilanc real i Shqipërisë në këtë proces, pasi e ka bërë Procesin e Berlinit jo vetëm pjesë të axhendës së saj të zhvillimit, por tanimë dhe pjesë të territorit fizik të saj. Shqipëria e meriton të jetë vendi mikëpritës i Samitit të Berlinit, pasi më shumë se të tjerët në Ballkan, i ka mirëpritur më parë, parimet dhe direktivat e këtij procesi.