Shqipëria

“Travel of Path”, konsideron Shqipërinë si perlën e fshehur të Evropës

“Po mendoni të vizitoni Spanjën për plazhet më të mira në Evropë? Apo Italinë për të zbuluar kulturën romake? Po sikur t’i gjenit të dyja në ‘perlën e fshehur’ më pak të njohur dhe më të përballueshme?”.

Kështu niset artikulli i faqes së njohur të udhëtimeve “Travel Off Path” që thekson se Shqipëria është bërë destinacioni me rritjen më të shpejtë turistike në Evropë, shkruan tvklan.

Kjo i atribuohet disa arsyeve. Arsyeja e parë është se Shqipëria ka atraksione historike magjepsëse, të cilat përfshijnë Parkun Arkeologjik të Apolonisë, Butrintin dhe Kalanë e Beratit. Butrinti nuk është vetëm një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ai gjithashtu konsiderohet si vendi më i rëndësishëm arkeologjik në Shqipëri.

Ndoshta atraksioni më unik arkeologjik në Shqipëri është Kalaja e Beratit. Të ecësh nëpër Kala është si të ecësh nëpër historinë e Shqipërisë, ndërsa vetë qyteti në tërësi është një destinacion që ia vlen të eksplorohet.

Plazhet në Rivierën Shqiptare janë magjepsëse dhe ofrojnë një panoramë që të lënë pa frymë. Nëse udhëtarët janë në kërkim të plazheve më të mira, atëherë duhet të vizitojnë Sarandën që është një qytet tipik bregdetar ideal për udhëtarët që pëlqejnë atraksionet dhe akomodimet e rehatshme gjatë pushimeve në plazh.

Afër Sarandës ndodhet qyteza e Ksamilit, i cili është cilësuar shpesh si Maldivet apo Balit e Evropës. Zona ofron pamjet spektakolare si dhe mundësi të shkëlqyera për not, ski jet ose kajak. Rekomandohet edhe Tirana, ku udhëtarët do të mund të gjejnë një kulturë të pasur tradicionale, por edhe një anë rinore dhe bashkëkohore që e bën Tiranën një qytet magjepsës.

Në fund, thekson se krahasuar me shumë pika të tjera të bukura në Mesdhe, Shqipëria është mjaft e lirë duke u bërë kështu një destinacion ideal për udhëtarët me buxhet të kufizuar.