Pse radhitet i 11-ti në listën e LDK-së e mesazhi për Kurtin e Osmanin, krejt çka deklaroi Lumir Abdixhiku mbrëmë

Kandidati për deputet nga radhët e LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin Pressing në T7.

Abdixhiku në Pressing ka folur për renditjen e tij në listën e kësaj partie për zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt.

Ai tha se nuk ka qenë në dijeni se ishte i renditur i 11’ti në listën e LDK’së dhe për këtë nuk ka pasur ndonjë hidhërim.

Sipas tij, kandidati për kryeminstër i LDK’së, Avdullah Hoti e ka bërë renditjen e listës dhe është vendim i tij ta caktojë 10’shen e parë.

“Listën dhe renditjen e bën kryesisht kandidati për kryeministër. Unë nuk kam pas as ndonjë kontakt apo interes të di se në çfarë renditje do të kem. Atë natë sigurisht barabartë me ju e kam kuptuar edhe renditjen në listë.

Gjithsesi është vendim i kandidatit ta bëj 10’shen e parë dhe ekipën me të cilin mendon që duhet t ëgarojë dhe marrë parasysh rrethanat tjera partiake të brendshme që duhet t’i ketë. Për mua nuk ka pasur interesim të di se çfarë numri do të kem dhe e kam marrë vesh po atë natë. Nuk kam pas ndonjë hidhërim, pasi nuk bën ndonjë difernecë për mua”, tha Abdixhiku.

Ai tha se po të kishte qenë bartës i listës, lartë do t’i vendoste kandidatët që marrin vota më së shumti.

“Po të kisha qenë unë bartës i listës, ndoshta lart do ti kisha ata që marrin vota shumë. Por unë sjam bartës i listës jam njëri prej 110 kandidatëve të listes”, shtoi Abdixhiku.

Kandidati i LDK’së për deputet, ka treguar se pse s’ka pranuar të jetë pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ai tha se kishte kërkuar që pas prishjes së koalicionit me VV’në të mos merrnin primatin në qeverisje.

“Kam qenë pjesë e një bashkëpunimi të LDK’së me VV’në, para procesit zgjedhor si pjesë e opozitës në Kuvend. Gjatë fushatës kemi pasur, të them një afrim me VV’në që dikush e sheh si të dëmshme dhe në fund ka rezultuar me një koalicion qeveritar’, thotë Abdixhiku.

“Gjatë kësaj periudhe kohore kam vërejtur se si ekip nuk po funksionojmë dhe në betejën e parë ideologjike, në shtyllën e parë ideologjike të përplasjes kishim dallime substanciale”, shpjegoi ai.

“Kjo më pas rezultoi me një shkas që ishte shkarkim i një ministri që s’linte alternativë tjetër. Deri këtu nuk kishim kurrfarë  dallimi në mendime me pjesën tjetër të partisë. Pra do të duhej me u prish koalicioni…Por jo domosdoshmërisht që të marrim primatin e qeverisë sepse e dija se do të mund të na kushtonte në periudhë afatshkurtër”, thotë ai.

 “Unë i kam bërë me dije atëherë që nuk do të jem pjesë e qeverisë sepse kam kontribuar në një qeveri tjetër dhe nuk e shoh të arsyeshme të jem edhe aty edhe këtu. Ose duhet të jesh atje ose këtu. Kam propozuar që të dalim nga qeverisja dhe të mos vazhdojmë tutje me marrje të primatit të qeverisë’, tha ai.

Ai thënë se fryma ideologjike e rugovizmit nuk mund të bartet tek një parti me bindje ideologjike të majta, sikundër është Lëvizja Vetëvendosje.

Abdixhiku këto deklarata i ka bërë në emisionin ‘Pressing’, teksa ka vlerësuar se deklarimet që VV’ja e përfaqëson rugovizmin është oksimoron.

“Të flasësh për rugovizmin brenda VV është oksimoron. S’mund të ketë LDK. LDK’ja nuk mund të jetë nën ombrellën e Lëvizjes Vetëvendosje, është kundërthënie”, deklaroi Abdixhiku.

“Do të isha shumë i lumtur nëse partitë e tjera do ta bartnin bindjen e rugovizmit, do të më linin pa punë”, potencoi tutje ish-Ministri i Infrastrukturës.

Ai ka komentuar edhe listën e Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilët thotë se përbëhet nga elemente nga të gjitha rrymat ideologjike.

“Shumë i lumtur që s’kanë probleme ideologjike përbrenda LDK’së. Ideologjia është e dhënë aty, është ideologji e majtë, e përzime me një nacionalizëm të theksuar. Ka një tendencë interesante tek Vetëvendosja, për krijimin e disa mijë partive përbrenda një lëvizje. Ka një element të PDK të mirëthemeluar të kahmotshme, demokristian, islamista, anarkista, gjithçka. Dhe më pas, ka një ombrellë që i bën bashkë të gjithë”, vlerësoi ai.

Abdixhiku tutje i ka quajtur arrogantë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Ai ka kritikuar ata për mostransparencë.

“Kjo është një sjellje e arrogancës që është krijuar prej profecie vetëpërmbushëse. Fillimisht nëpërmjet percepsionit që do të jenë të fuqishëm dhe e dyta nëpërmjet paraqitjes së tillë dhe një besimi artificial që e krijojnë’, tha ai.

“Por shqetësuese është arroganca. Pra, nëse dikush sillet me kaq arrogancë ende pa e marrë pushtetin paramendoni si do sillen kur e merr pushtetin”, thotë Abdixhiku.

“Nëse dikush heziton të shpalosë programin e vetë, idetë e veta, punët e veta dhe janë pyetje shumë legjitime dhe të rënda: duhet të na tregojë çka do të ndodh me dialogun, çfarë do të ndodh ne kërkesën e Uashingtonit”, tha ai.