PSD me aksion te MPJD: Prokuroria me gjasë ka ngritur kallëzim penal kundër Martin Berishajt

Aktivistët e PSD-së po zhvillojnë një aksion pranë objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dh Diasporës.

Aty i kanë ulur flamujt e Kosovës dhe të Bashkimit Evropian, duke i zëvendësuar me disa flamuj në formën e kartëmonedhave, me portretin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është implikuar në një skandal financiar.

Nol Nushi, anëtar i Kryesisë së PSD-së tha se kanë informacione se Prokuroria tashmë ka ngritur kallëzim penal ndaj Berishajt.

“Prokuroria në Kosovë me shumë gjasë tash ka ngritur kallëzim penal. Ende nuk është zyrtare, por burimet e ndryshme e konfirmojnë këtë. Z. Berishaj hetohet për pastrim parash, për shmangie të tatimit dhe fshehje të biznesit”, tha Nushi.

“Kjo ministri (MPJ) nuk e përfaqëson Kosovën”, tha paraprakisht Nol Nushi, duke shtuar se “kurrë skandal më të madh s’ka pasur”, në këtë dikaster.

Të befasishme dhe të kuptueshme e cilëson ai mbrojtjen që krerët e shtetit po ia bëjnë ambasadorit Berishaj.