PS-ja e PD-ja mbyllin fushatën me akuza të rënda për njëra-tjetrën

Me akuza të rënda për njëra-tjetrën, dy partitë kryesore në Shqipëri, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kanë mbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Fantazma e turp të kombit i ka quajtur kryeministri Edi Rama rivalët e tij të PD-së dhe presidentin Ilir Meta.

Nga Vlora, ku mbylli fushatën, Rama ka premtuar “12-fish më shumë punë”.

“Do të bëj 12 herë më shumë për Vlorën se që kemi bërë në këto dy mandate që po mbyllen. Kur them Vlora, them jo vetëm Bashkia e Vlorës…. kur them Vlora them Shqipëria”, ka thënë ai.

Ndërkaq, PD-ja ka mbyllur fushatën në Tiranë, me kreun e saj, Lulzim Basha, që ka thënë se PD-ja do “t’ua rikthejë Shqipërinë shqiptarëve”.

Basha ka thënë se në këto zgjedhje PD-ja do të marrë fitoren më të thellë në 30 vjet.

“Dita e diel është dita e çlirimit për të gjithë ju, për të gjithë rrogëtarët e dhunuar nga shteti, që trajtohen si skllevër për të mbushur xhepat e tyre. Ejani dhe ju bëhuni pjesë e bashkimit; mësues, mjekë, punonjës të ndershëm të policisë së shtetit që më keni thënë me fjalë, me sy, me gjeste: ‘na ka ardhur në majë të hundës’, të dielën largoheni me votë të keqen”, ka deklaruar kreu i PD-së, Basha, raporton “Euronews Albania”.