Protesta për shkollat e Kamenicës zhvendoset në Prishtinë, banorët: Kastrati na shantazhoi

Banorët e Busavatës dhe Krilevës së Kamenicës kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kundër reformës së iniciuar nga kryetari Qëndron Kastrati për mbylljen e katër shkollave në këtë komunë.

Përmes parullave “Duam shkollat tona”, “Largo duart nga shkollat tona”, “Busavata i thotë jo mbylljes së shkollave”, banorët e këtyre dy fshatrave kanë kërkuar nga MASHT-it dhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati që të kthejnë normalitetin dhe mësimin në shkollat e mbyllura.

Drejtori i shkollës fillore në Busavatë, Abedin Maliqi tha se ata kanë ardhur që ta kundërshtojnë reformën e Qëndron Kastratit e cila dërgon në mbyllje të shkollave.Maliqi tutje ka thënë se ata ekspertë që kanë ardhur me vendimin për mbyllje të shkollës në Busavatë janë ekspertë që nuk kanë lidhje me arsimin.

Tutje për situatën e krijuar ai ka akuzuar edhe MASHT-in dhe ministrin tashmë në detyrë, Shyqiri Bytyqi. Përfaqësuesi i shkollës “7 shtatori” në Krilevë, Fatmir Cakolli, u shpreh se përmes kësaj proteste po shprehin pakënaqësitë për mbylljen e shkollave në Busavatë dhe Krilevë.

Ai madje tha se një gjë të tillë nuk do lejojmë që të ndodhë.Përfaqësuesi i prindërve të fshtatit Busavatë, Feim Maliqi teksa e ka konsideruar si ide qyqare reformë në arsim të vendosur nga kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastratit tha se prindërit janë shantazhuar nga kryetari i Kamenicës vetëm pse po insistojnë që shkollat mos të mbyllen.

Maliqi tha se si prindër në shenjë proteste kanë marrë vendim që fëmijët e tyre të mos vijojnë procesin mësimor.

Nëna e dy fëmijëve që vijojnë mësimin në shkollën “Hasan Prishtina” në Busavatë, Mirizade Maliqi kërkoi që urgjent të fillojë procesi i rregullt mësimor në këtë shkollë.

Në fund të protestës banorët pankartën me mbishkrimin “Duam shkollat tona” e vendosën brenda në ambientet e Ministrisë së Arsimit, si shenjë pakënaqësie ndaj ministrit në detyrë Shyqyri Bytyqi, i cili nuk doli për t’i takuar protestuesit edhe pse ata kishin ardhur nga Kamenica.

Kujtojmë që banorët e Busavatës së Kamenicës kanë protestuar edhe më parë kundër vendimin për mbylljen e shkollës./kp/

loading…