Pronari i Shell Kosova rrah një person në pompën në Veternik dhe ikën nga vendi i ngjarjes

Pronari i ‘Shell Kosova’, Lulzim Kryeziu, është denoncuar mbrëmë për sulm fizik ndaj një gazetari. Ngjarja ka ndodhur në piken e tij të derivateve në Veternik të Prishtinës. I pranishëm ishte edhe Kushtrim Demiri, pronar i kompanisë ‘KD Events’ që menaxhon pjesën e komunikimit me publikun të ‘Shell Kosova’.

Gazetari Fitim Ceku ka denoncuar mbrëmë në Polici një rast sulmi fizik ndaj tij. Ai ka deklaruar se u sulmua fizikisht në lokalin e pikës së derivateve të “Shell Kosova” në Veternik të Prishtinës. Sipas denoncimit të tij, ai u sulmua fizikisht nga një menaxher i kompanisë, që më pas doli se është pronari i “AL-Petrol SHPK”, që bart licencën e emrit ‘Shell’ në Kosovë, Lulzim Kryeziu.

E sipas denoncimit, Gazeta Online “Reporteri.net” ka mësuar se gazetari në fjalë, policisë i ka deklaruar se kishte shkuar në piken e Shell Kosova në Veternik, për të takuar menaxherin për media të kompanisë së Lulzim Kryeziut, Kushtrim Demirin.

Ky i fundit, drejtues i kompanisë “KD Events & Communications” e cila menaxhon fushatën e marketingut dhe komunikimit me publikun të “Shell Kosova”.

Takimi sipas Cekut kishte ndodhur pasi gazetari i tha policisë se po hulumtonte lidhur me licencën e ‘Shell’ në Kosovë, që e bart kompania “Al-Petrol SHPK”, e themeluar nga babai i Lulzim Kryeziut, i ndjeri Latif Kryeziu.

Gjatë takimit me Demirin, gazetari pretendon se lokal erdhi edhe Lulzim Kryeziu, të cilin e denoncoi për sulm fizik.

Siç thuhet në raportin e Policisë, e cila konfirmoi rastin në fjalë për Gazetën Online “Reporteri.net”, Fitim Ceku morri edhe trajtim mjekësorë si pasojë e sulmit që ndodhi të hënën mbrëma, në periferi të kryeqytetit, rreth orës 18:05.

“Ankuesi mashkull kosovar, raporton se në një pompë të derivateve është sulmuar fizikisht nga pronari i firmës i dyshuari mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, atij i është ofruar tretman mjekësor”, ka thënë Policia e Kosovës.

“I dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet tutje në konfirmimin e Policisë për Reporteri.net.

Por për dallim nga denoncimi i gazetarit dhe konfirmimi i policisë, i apostrofuari tjetër në këtë rast, biznesmeni Kushtrim Demiri, në një bisedë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, ka mohuar se mbrëmë ka patur përleshje fizike.

Ai pohon se ka qenë i pranishëm në këtë rast, por sipas tij, nuk ka patur incident fizik.

Madje, sipas Demiri, ka qenë gazetari i cili ka provuar ta sulmojë pronarin e ‘Shell Kosova’, Lulzim Kryeziun.

“Jo, jo, nuk ka ndodhë kurrfarë përleshje. Veç i ka kërku këtij gazetarit me dalë prej objektit e gazetari tani e ka sulmu edhe u shku ka marrë diçka për sulm”, tha Demiri të martën.

“S’ka pas kurrfarë konfrontimi as kurrgjë, veç i ka kërku me dalë jashtë se ai e ka kërcënu qaty në mënyrë verbale”, shton pronari i kompanisë ‘KD Events”.

Tutje, Demiri, provon të ndërhyjë në punën e gazetës, duke kërkuar të mos i përmendet emri i tij në lidhje me këtë rast, edhe pse e pohon serish se ka qenë prezent kur ka ndodhur.

“Nuk kisha dashtë me bo asnjë shkrim me emër timin, as kurrgjë se as nuk jom kon palë e përfshimë as kurrgjë. Unë jom kon prezent po nuk kom pas kurrfarë lidhje mes dy palëve”, ka shtuar ai përmes telefoni.

Më pas ai shpjegon rastin se si ka ndodhur. Thotë se Kryeziu i kërkoi gazetarit Ceku të dalë jashtë, pasi Demiri insiston se ai e kërcënoi pronarin e “AL-Petrol SHPK”.

Sikurse edhe sulmin fizik, Kushtrim Demiri, gjatë bisedës me Gazetën Online ‘Reporteri.net’, ka mohuar edhe konfirmimin e policisë se biznesmeni Lulzim Kryeziu u largua nga vendi i ngjarjes pasi ndodhi incidenti.

“Jo ska ikë absolut, qaty u kon”, thotë ai.

Gazeta Online “Reporteri.net”, të martën ka kontaktuar përmes e-mailit edhe kompaninë “AL-Petroll SHPK”, e cila bartë licencën ‘Shell Kosova”, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Lulëzim Kryeziu, djali i biznesmenit të ndjerë, Latif Kryeziu, është tash një prej pronarëve të kësaj kompanie, pasi themeluesi i saj vdiq para disa muajve.