Drita Hajdari

Prokurorja Hajdari për krimet e luftës në Kosovë: Procesi ka paraqitur shumë probleme, shumica e të dyshuarve ndodhën në Serbi

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur 33 aktakuza ku përfshihen 88 persona për krime lufte në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Prokurorja Drita Hajdari në një konference për medie tha se ky proces ka paraqitur shumë probleme për shkak se shumica e të dyshuarve ndodhën në Serbi.

“Në mesin e këtyre rasteve ka qenë edhe rasti për ‘Mejen’ dhe shumë e shumë raste të krimeve të luftës në Kosovë. Sa i përket aktakuzave, iu njoftoj se tani prokurorët vendor kanë ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona”.

“Me marrjen e kompetencave ishim të ballafaquar me probleme të shumta e sidomos me rrethanën se kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë. Shumica e tyre janë në Serbi ndërsa viktimat dhe dëshmitarët janë në Kosovë dhe kjo ka paraqitë një vështirësi të madhe për ngritjen e aktakuzave sepse nuk kemi mujtë me i ngritë aktakuzat pa i marrë në pyetje të pandehurit, mirëpo kjo rrethanë nuk na ka ndal”.

Prokurori Ilir Morina, në një konferencë për media ka thënë se për masakrën e Dubravës nën hetim janë 88 të pandehur.

Siç tha Morina hetimi ka filluar qe një kohë të gjatë dhe aktualisht një i pandehur është në paraburgim.

“Ka filluar shqyrtimi gjyqësor për rastin e masakrës së Dubravës. Nën hetim janë 88 të pandehur. Ky hetim ka filluar që një kohë të gjatë pasi ishte lëndë e EULEX-it, një të pandehur e kemi në paraburgim, është sfidë të kryhet një hetim lufte për dy vjet, por këto janë mundësitë ligjore. Me ligj paraburgimi është 2 muaj.

Për të pandehurit e tjerë vazhdojnë hetimet, dhe jemi duke mbledhur provat. Në momentin që do të jemi gati do të procedojmë edhe ndaj këtyre të pandehurve”, ka thënë Morina.

Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj tha se ky institucion do të vazhdojë të punojë pa ndalur në ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krime lufte.

“Prokurorët tanë po punojnë më shumë përkushtim përkundër sfidave që masin sigurimin e provave dhe dëshmisë. Përkundër faktit që ka kaluar një kohë e konsiderueshme dhe janë krijuar vështirësi për një punë sa më të suksesshme për identifikimin e kryerësve dhe kapjen e tyre për t’i sjellë para drejtësisë”.

“Me këtë rast dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se  Prokuroria Speciale do të vazhdojë të punojë pa ndaluar në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës, përkundër vështirësive që na presin”.