Prokuroria thotë se Ademit iu keqpërdor Facebooku për porosi të produkteve për nxitje seksuale

Prokuroria Themelore në Gjilan ka thënë se persona të panjohur kanë keqpërdorur llogarinë e prokurorit Esat Ademi në Facebook për të bërë porosi të produkteve për nxitje seksuale, e që ishin planifikuar të dërgoheshin në vendin e punës së Ademit – në Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Pas raportimit nëpër media për këtë rast, Prokuroria përmes një sqarimi publik ka thënë se “me qëllim të informimit të drejtë, ju njoftojmë se persona të panjohur kanë keqpërdorur llogarinë e prokurorit në fjalë, të cilët kanë arritur që të kenë qasje në llogarinë personale të tij, në rrjetin social ‘Facebook’, duke kontaktuar me një faqe për blerje Online, me ç’rast pas publikimit nga mjetet e informimit, i njëjti e ka kuptuar se dikush ka bërë një keqpërdorim të tillë”.

Kjo Prokurori ka bërë të ditur po ashtu se ka nisur menjëherë hetimet për rastin.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, me qëllim të ndriçimit të këtij rasti, menjëherë ka ndërmarrë veprime hetimore, duke autorizuar Policinë – Sektorin për hetimin e krimeve kibernetike, në Prishtinë, që të fillojë grumbullimin e provave, në mënyrë që të zbulohen personat që kanë keqpërdorur llogarinë e prokurorit të shtetit, në drejtim të veprës penale ‘Cenimi i fshehtësisë së korrespondencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike’, nga neni 199 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që më datë të papërcaktuar dhe pa autorizim është bërë ndërhyrje dhe komunikim elektronik, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, me qëllim të cenimit të integritetit të tij personal”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

loading…