Prokuroria

Prokuroria të hetojë doganën dhe autoritetet tjera për produktet “Kosova Metohiju”

Qeveria e Kosovës kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të hetojë autoritetet të cilat mundësuan futjen e mallrave serbe me mbishkrime “Kosova Metohiju”, ngase këto produkte janë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se organet e drejtësisë duhet të ndërmarrin masa ndaj doganës dhe ndaj autoriteteve të tjera që kanë mundësuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë me mbishkrime “Kosova Metohiju”.

Ai ka kërkuar që deklaracioni i mallrave duhet të bëhet në bazë të obligimit Kushtetues.

Shala ka shtuar se Qeveria ende nuk ka marrë masa ndaj doganiereve me suspendim, arrestim apo dënim për shkelje të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit, Haradinaj, ka thënë se prokuroria e shtetit duhet të fillojnë hetimet për doganë dhe institucionet tjera që kanë mundësuar hyrjen e mallrave serbe me mbi shkrime “Kosova Metohiju”.

Edhe nënkryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Shabani, ka thënë se për produktet me mbishkrime antikushtetuese, përgjegjësia duhet të bie mbi ata të cilët e kanë e mundësuan.

Biznesmeni Shaqir Palushi ka thënë se është jomorale nga ana e importuesve në Kosovë nëse ky mall ka qenë i importuar në mënyrë legale. Sipas tij, fajtor për importim të mallrave serbe me këtë mbishkrim e mbajnë edhe kompanitë.

Ndërsa, pasi janë lejua të futen këto mallra me këto mbishkrime anti-kushtetues, inspektorët po i detyrojnë bizneset t’i heqin këto produkte, të cilat janë paguar nga biznesi dhe i janë pagua edhe tatimet shtetit. Mirëpo, se a do t’i kompensoi shteti bizneset për dëmet që tani është duke ia shkaktuar inspektorati, Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit, ka thënë se tregtia është biznes që i nënshtrohet rregullave të tregu, dhe në qoftë se kanë bërë shkelje, do të pësojnë dënimin.

Ndërsa, ministri Shala nuk ka dashur ta komentoi lidhur me kompensimin ose dënimin e bizneseve për produktet “Kosova Metohiju”.

Produktet me mbishkrim “Kosova Metohiju”, kanë rënë në sy të inspektoratit veçmas pas vendimit të Qeverisë për tarifën 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe BeH.