LAJMI I FUNDIT

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër gjashtë personave për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit S.S, E.Xh, Sh.H, Sh.J, S.H dhe M.L si grup i organizuar kriminal me dashje “janë marrë vesh paraprakisht që të furnizohen, transportojnë, këmbejnë, ndërmjetësojnë dhe shesin në mënyrë të  paautorizuar armë dhe municion të llojeve të ndryshme”.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar njëzet kallashë.

“Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër gjashtë (6) personave për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” sanksionuar me nenin 277 të Kodit Penal dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” sanksionuar me nenin 364 të Kodit Penal.

Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit S.S, E.Xh, Sh.H, Sh.J, S.H dhe M.L si grup i organizuar kriminal me dashje janë marrë vesh paraprakisht që të furnizohen, transportojnë, këmbejnë, ndërmjetësojnë dhe shesin në mënyrë të  paautorizuar armë dhe municion të llojeve të ndryshme, ashtu që gjatë zbatimit të kontrollit të shtëpisë së të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar njëzet (20) armë të gjata AK-47 dhe prova tjera materiale”, thuhet në njoftim.