Podujevë

Prokuroria për vrasjen në Podujevë: Po punojmë për t’i ndriçuar rrethanat dhe për t’i identifikuar të dyshuarit

Prokuroria Themelore e Prishtinës i ka ndërmarrë veprimet hetimore për t’i mësuar rrethanat e vrasjes në Podujevë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj i tha Gazetës Express se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda doli në vendin e ngjarjes me të pranuar informatën për vrasjen e një burri në mesditë.

“Sipas informatave fillestare, në rrugën “Zahir Pajaziti” Podujevë, nga të shtënat me armë zjarri, një person nuk ka mundur t’iu mbijetoj plagëve të marra nga arma e zjarrit, me ç’rast nga ekipi mjekësor është konstatuar pa shenja jete, ndërkaq një person tjetër është plagosur dhe dërguar për ta marrë ndihmën mjekësore”, tha Ulaj.

Aktualisht, ajo tha se “Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për t’i ndriçuar rrethanat e rastit, si dhe identifikuar personat e dyshuar”.

Gruaja e viktimës u raportua se mbeti e plagosur. Gjendja shëndetësore e saj nuk është bërë fort e qartë. Ajo po trajtohet në Klinikën Emergjente në QKUK.