Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj R.M., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “ Marrja e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Ai akuzohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G. dhe A.X., kanë ndihmuar të pandehurin A. Ç., në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore në Parkun Kombëtar “Sharri” në vikend-zonën e Brezovicës, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 par. 2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Po ashtu, ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G., dhe A.X., kanë pranuar para me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Ushtrimi i ndikimit ” nga neni 431 par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
I dyshuari është arrestuar dje në pikën kufitare të Vermicës.







