Pejë

Prokuroria jep detaje për planin disa mujor që 16-vjeçari kishte përgatitur ta kryente në një shkollë në Pejë

Prokuroria Speciale e Kosovës është deklaruar lidhur me arrestimin e 16-vjeçarit nga Peja, nën dyshimin për përgatitjen e veprave terroriste.

Ndaj të njëjtit Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokuroria Speciale, ka njoftuar se i dyshuari B.M për disa muaj kishte bërë plane për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj nxënësve të një shkolle në Pejë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se është ndaluar i pandehuri me inicialet B.M. për shkak se në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Prokuroria Speciale shton se me këto veprime i pandehuri B.M. kishte për të kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së
Republikës së Kosovës’’, nga neni 138 lidhur me nenin 129 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Prokurori i Prokurorisë Speciale, gjatë ditës së sotme ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, si dhe, ndaj të njëjtit Gjykata kompetente ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh”, thuhet në njoftim.