Prokuroria e Pejës kërkon paraburgim dhe arrest shtëpiak ndaj 4 personave që dyshohen falsifikim parash

Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar paraburgim dhe arrest shtëpiak për katër persona të cilët dyshohen për falsifikim të parasë.

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë pranë Gjykatës Themelore të Pejës, për caktimin e masës se paraburgimit kundër të pandehurve, R.K. dhe E.K., ndërsa ndaj dy të pandehurve E.G. dhe M.V. kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për shkak se secili veç e veç kishin për të kryer vepër penal “Falsifikimi i parasë”, nga neni 302, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në komunikatën e dërguar për media nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se është marr aktvendim për fillimin e hetimeve në drejtim të kësaj vepre penale, ndaj katër të pandehurve të lartcekur, për shkak se deri me datën 20 janar të vitit 2019, dy të pandehurit R.K., dhe E.K, kanë prodhuar dhe vënë në qarkullim para të falsifikuara ndërsa dy të pandehurit tjerë, E.G dhe M.V., edhe pse ishin në dijeni nuk e kanë raportuar veprën penale në polici.

Seanca dëgjimore për caktimin e këtyre masave pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili do vendosë lidhur me kërkesën e prokurorisë.