Drejtoresha për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Herolinda Murati-Leka, gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj.

Përmes një letre, Murati-Leka ka thënë se e ka paraqitur dorëheqjen e saj për arsye të shumta institucionale, etike dhe morale të cilat, sipas saj, e kanë bërë të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të ushtrimit të funksionit të saj.

Në letrën e dorëheqjes thuhet se, ajo është përballur me veprime të papranueshme dhe të pashembullta në një institucion publik.

Por, çfarë ndodhi?

Është raportuar se dyshohet që disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë thyer çelësin e zyrës së drejtoreshës në objektin e komunës dhe kanë hyrë brenda.

Në lidhje me këtë edhe vet, Murati-Leka, e ka pranuar se dikush ka hyrë në zyrën e saj në komunë.

“Persona të paautorizuar dyshohen se kanë hyrë në zyrën time kur unë nuk kam qenë në ambientet e punës. Ky akt është një mesazh i qartë i pasigurisë institucionale dhe një tentativë për të më treguar se nuk jam e dëshiruar në këtë qeverisje komunale.” – ka shkruar Murati-Leka.

Tutje, ajo thekson se për këto dhe për shume arsye të tjera, ka marrë vendim për dorëheqje, e bindur se në një ambient të tillë nuk mund të kontribuohet në mënyrë profesionale.

“Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrin veprime hetimore.” – thuhet në përgjigjen e zëdhënës së Prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini për Nacionalen.

Pas dorëheqjes së drejtoreshës për Buxhet dhe Financa, ka reaguar edhe kreu i Gjilanit, Alban Hyseni.

Hyseni është shprehur se është i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura dhe se i ka ndjekur me vëmendje të gjitha akuzat e bëra publike.

Ai tutje ka mohuar se dikush nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mundur të hyjnë në zyrën e drejtoreshës Muratit-Leka.

“Si kryetar i komunës, siguroj qytetarët se institucioni ka funksionuar dhe do të vazhdojë të funksionojë me transparencë dhe profesionalizëm. Askush nuk ka pasur qasje të paautorizuar në një zyrë kaq të ndjeshme, e aq më pak ndonjë aktivist i Lëvizjes.” – ka shkruar ndër të tjera Hyseni.