Prokuroria: Agjenti i rrejshëm nuk pati qasje në dokumente apo informata topsekrete të AKI-së

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin lidhur me shkrimin e publikuar sot në portalin “Insajderi.com” me titull: “Skandal spiunazhi-me dokument të falsifikuar siguron qasje në dokumente topsekrete”.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, njofton opinionin se personi tani më i arrestuar me inicialet E.J. nuk ka pasur qasje në dokumente apo informata topsekrete, të cilat janë pronë e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), por dyshohet se i njëjti duke e përdorur një dokument – vendim të falsifikuar, i përpiluar më datë 19.02.2018, kinse i lëshuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilin ka tentuar të abuzoj në forma të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme, për të cilat tashmë kanë filluar hetimet nga prokurori kompetent i Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Për këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve me datë 12.12.2018.

Prokuroria thekson se gjatë zhvillimit të hetimeve do të merren informacione dhe prova të cilat do të vërtetojnë se i njëjti e ka përdorur këtë vendim, apo vetëm ka tentuar ta përdorë.

Andaj, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka bërë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit E.J., si dhe, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën dhe ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ballkani.info më herët sot ka raportuar se agjenti i rrejshëm Edmond Jetullahu asnjëherë nuk ka hyrë në selinë e AKI-së.

Po ashtu Ballkani.info sjellë edhe dokumentin e falsfikuar të Jetullahut të datës 19.02.2018, i cili mban nënshkrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj. /Ballkani.info/