Programi i ri i Bankës Botërore për Shqipërinë, 900 milionë dollarë deri në vitin 2027

Në Tiranë, Banka Botërore prezantoi sot programin e ri të partneritetit me Shqipërinë për periudhën 2023-2027, i cili vë në dispozicion të projekteve të zhvillimit 900 milionë dollarë. Programi, u miratua muajin e shkuar nga Bordi i Drejtorëve ekzekutiv të Bankës Botërore, pas negociatave të gjata me qeverinë shqiptare.

Strategjia 5 vjeçare, siç shpjegoi përfaqësuesi i Bankës në Shqipëri Emanuel Salinas, mbështetet në tre shtylla kryesore. Së pari, krijimi i më shumë vendeve të mira pune, sidomos për rininë dhe gratë. “Ne mendojmë që në të ardhmen sfida jonë është që të krijojmë vende më të mira pune, mundësi më të mira, për të shfrytëzuar maksimalisht talentin e njerëzve këtu në vend dhe për të krijuar stimuj që njerëzit të qëndrojnë këtu dhe të kenë jetë produktive në vend”, shpjegoi zoti Salinas.

Së dyti, përdorim më i mirë i kapitalit njerëzor, duke vijuar me përmirësimin e shëndetësisë, së arsimimit, të mbrojtjes sociale dhe të shërbimeve publike. “Kemi punuar së bashku me qeverinë e Shqipërisë për shëndetësinë gjatë këtyre viteve të fundit, sidomos për rindërtimin e spitaleve dhe gjithashtu dhe për përmirësimin e cilësisë së shtrirjes së kujdesit shëndetësor te publiku. Por mendojmë që ka mundësi për të bërë më shumë në të ardhmen. Sa i takon arsimit jemi shumë të lumtur që të nisim të punojmë për të përmirësuar aftësisë digjitale për fëmijët dhe presim me shumë padurim për mundësi të tjera, për të bërë më shumë për këtë gjë”, deklaroi përfaqësuesi i Bankës Botërore

Shtylla e tretë, përqëndrohet te qëndrueshmëria dhe rezistenca. “Ajo për të cilën do të punojmë së bashku me qeverinë është të rrisim rezistencën për krizat e ardhshme, rezistencë financiare të aseteve fizike, të përmirësimit të infrastrukturës për të ulur ndikimin e disa prej këtyre ngjarjeve në të ardhmen dhe sidomos edhe përmirësimin e menaxhimit të katastrofave në përgjithësi”, u shpreh zoti Salinas.

Banka ka aprovuar 4 projektet e para në kuadër të programit të ri, që kapin një total prej 355 milionë dollarësh. Nga këto 100 milionë do të shkojnë për rehabilitimin e urave në rrezik dhe përmirësimin e sistemeve të tyre të mirëmbajtjes; 70 milionë dollarë të tjerë si mbështetje për sektorin e bujqësisë, përmes nxitjes së inovacionit, zgjerimit të ujitjes inteligjente dhe rritjes së aksesit të produketeve bujqësore në tregjet vendase dhe ato të BE-së; 65 milionë dollar do të financojnë digjitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve publike dhe ngritjen e laboratorëve digjitalë për fëmijët në 200 shkolla dhe 120 milionë dollarë për financimin e politikave të zhvillimit që do të ndihmojnë në forcimin e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë mjedisore të modelit të rritjes së Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama u shpreh i kënaqur me kornizën e re të partneritetit me Bankën Botërore. “Në memorien time është procesi më i dialoguar, është procesi më i thelluar në çdo sektor dhe në çdo detaj dhe është procesi më jo konvencional që kemi bërë, për të adresuar realisht të gjitha ato pika të organizmit, të vendit, dhe të jetës sociale dhe ekonomike të vendit që do të stimulojnë energji të reja zhvilluese”, vuri në dukje kryeministri Rama./voa