Një profil i Instagramit është shpërndarë nga shumë qytetarë në Kosovë dhe fytyra publike për ta ndihmuar një djalë 2-vjeçar, për të cilin thuhet se quhej Noel dhe ka kancer në sy. Qytetarë kanë ngritur shqetësimin se mund të jetë profil i rrejshëm. Kjo faqe po përdorë fotografi, që janë publikuar para dy viteve nga një familje ukrainase, që kërkonin ndihmë për djalin e tyre.
Që disa ditë në rrjete sociale janë duke qarkulluar disa fotografi të një fëmije që disa persona janë duke kërkuar para për shërimin e tij, shumë fytyra të njohura në vendin tonë e kanë shperndarë këtë njoftim duke mos kërkuar më shumë informata rreth tij.
Llogaria e cila po kërkon të holla “Noel Arta Memaj”, po përdor fotografitë e një fëmije në Ukrainë, i cili ka vuajtur nga sëmundja e kancerit në sy.
Fotografitë që pretendohen të jenë të “Noelit”, janë publikuar në një profil me emrin “Makar”, e që qarkullojnë në rrjete sociale që nga viti 2019, kur edhe familjarët e tij kanë kërkuar të holla për shërimin e tij në Zvicër. Profili për Noelin publikon foto vetëm që pak ditë.





Ndër fytyrat publike që kanë rënë pre e këtyre mashtrimeve është edhe aktorja, Yllka Gashi, e cila ka postuar atë në rrjetin social “Instagram”.

Yllka Gashi i ka thënë Expressit se nuk ka qenë në dijeni dhe qëllimi saj ka qenë për të ndihmuar fëmijën.
“Woww.. çfarë tmerri e marrie… çfarë poshtërsie prej tyre e shume naivitet prej meje se tu menu qe po boj mire masi osht kishe ni thmi ne pytje… Faleminderit shume per info. Tash e publikoj qe eshte fake account”, u deklarua aktorja.
Disa qytetarë të Kosovës e kanë denoncuar nëpër rrjete sociale se kur i kanë shkruar llogarisë “arta noel memaj”, i kanë bllokuar.

Gazeta ka pyetur organet e rendit në Kosovë, meqenëse profili shpërndahej nga qytetarë kosovarë.
Gazeta i ka shkruar profilit, që ka foto të publikuara më heret nga nje familje ukrainase. Profili “arta_noel_memaj” ka thënë se rasti është në Shqipëri dhe ka dërguar një xhirollogari në emër të Arsen Memajt. Kur gazetari (pa u prezantuar se është gazetar), i ka pyetur se në emër të kujt është profili, nuk ka kthyer përgjigje.

Familja e ukrainasit Makar, që nga Prilli i vitit 2019 kanë postuar një vërtetim nga spitali “Doctor Sam” në Kiev, ku thuhet që ai është i diagnostikuar me kancer në sy. Dhe të gjitha fotot të tjera të Noelit janë të publikuara vite më parë.

Në një fotografi të postuar në mbulojën e shtratit shënon emri i spitalit “QurionSalud”, e që familja e Makar këtë fotografi e kanë postuar 6 shkurt të këtij viti duke treguar edhe vendin që kanë dërguar fëmijën e tyre në Madrid të Spanjës, ndërsa në llogarinë e “Noelit”, fotografitë janë publikuar javën e fundit, gjithashtu Makar ka qenë për shërim edhe në Zvicër.
Personat që posedojnë këtë llogari në “Instagram”, kanë dhënë përgjigje të ndryshme kur është kërkuar xhirollogaria.
Në rastin e parë kanë dhënë një identitet që thuhej se ishte vëllai i këtij personi ndërsa mbiemri ishte i ndryshëm nga hera e dytë kur e kanë dërguar edhe xhirollogarinë.
Gjithashtu fotografia e profilit të “Arta Noel Memaj” është e njëjta që kanë postuar në shkurt të 2020-tës familjarët e djaloshit të vogël ukrainas.








