“Vijesti”

Problemi softuerik në kufirin e Malit të Zi: Të gjithë kosovarët në kërkim nga Interpoli

Disa shtetas të Kosovës kanë pritur për orë të tëra të premten në pikëkalimin kufitar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në Bozhaj, për shkak se sistemi i ka paraqitur të gjithë kosovarët si të kërkuar prej Interpolit.

Siç ka shkruar “Vijesti”, problemi ka qenë në softuerin e Interpolit dhe ka zgjatur të paktën tri orë.

Policia e Malit të Zi ka konfirmuar se sistemi është rregulluar në mbrëmje. Sipas njoftimit, autoritetet e Malit të Zi më pas i kanë lëshuar të paktën tetë shtetas të Kosovës për të vazhduar rrugën drejt Prishtinës. Bëhet fjalë për një grup që ishte pjesë e një projekti mediatik, e ku ishte edhe një përfaqësues i KOHËS.

Sipas raportimit, edhe policët e kishin të qartë se ka problem me sistemin e Interpolit, por për shkak të domosdoshmërisë së kontrollit nuk kanë lejuar shtetasit e Kosovës ta kalonin kufirin.

“Kjo ndodh rrallëherë”, ka thënë Policia e Malit të Zi.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në drejtim të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.