Pritet të shtyhen të gjitha ndeshjet e fundjavës në Serie A

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka konfirmuar se kabineti i tij do ta shqyrtojë mundësinë për t’i shtyrë të gjitha ndeshjen e fundjavës së ardhshme, për shkak të shpërndarjen së shpejtë të koronavirusit.

Shpërndarja e shpejtë e kësaj sëmundjeje në veri të Italisë ka bërë që disa rajone në vend të kyçen tërësisht, duke i mbyllur të gjitha hapësirat publike dhe shkollat deri më 1 mars.

Të dielën u shtynë për një datë të pacaktuar katër ndeshje të Serie A, Inter-Sampdoria, Atalanta-Sassuolo, Verona-Cagliari dhe Torino-Parma.

Duke folur për televizionin RAI, Conte tha se ka pak gjasa që ndeshjet e javës së ardhshme në Serie A të zhvillohen.

“Nuk mendoj se do të jemi në gjendje ta ngadalësojmë virusin ngjitës brenda javës në atë masë sa për ta lejuar rinisjen e ngjarjeve sportive”, tha Conte.

“Jemi duke e vëzhguar situatën vazhdimisht dhe do ta vlerësojmë atë. Do ta shohim evoluimin e virusit ngjitës dhe do ta vlerësojmë shtyrjen e të gjitha ndeshjeve të javës së ardhshme”, shtoi ai.