Pritet suspendimi i Ramosit për kartonin e qëllimshëm në “Champions”

Sergio Ramos pritet të dënohet nga UEFA për shkak të kartonit të verdhë që e mori qëllimisht në ndeshjen kundër Ajaxit në Ligën e Kampionëve.

Spanjolli u ndëshkua në minutën e 89 të takimit të cilin Reali e fitoi 2 me 1 në Amsderdam. Këtë karton ai e mori me qëllim që të jetë i suspenduar për ndeshjen e kthimit më 5 mars dhe t’i shmanget suspendimit në çerekfinale.

Ramosi në një intervistë pas ndeshjes kishte pranuar se ishte ndëshkuar qëllimisht që të mos rrezikohej për çerekfinale. Këto komente ai i tërhoqi pasi mori vëmendje të madhe për to.

UEFA e ka akuzuar Ramosin për kartonin e qëllimshëm dhe pritet të publikojë vendimin për të.

Javën e kaluar, mesfushori i Valencias, Geoffrey Kondogbia u suspendua për dy ndeshje pasi qëllimisht u ndëshkua me karton të verdhë në takimin ndaj Celticut në Ligën e Evropës.