Pritet që brenda pak minutash lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj ta nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Nga ora 13:00 pritet të filloj takimi ndërmjet Mustafës e Limajt, kur pritet edhe të nënshkruhet marrëveshja për bashkëqeverisje.

”Nga ora 13:00 pritet të takohen dy liderët, ku pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes. Nisma do t’i ketë 2 ministri dhe një zëvendëskryeministër”, tha ky burim.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli thase lideri i tij, Behgjet Pacolli, është në kontakt me liderin e LDK-së, Isa Mustafën, si dhe kanë biseduar për mundësinë e koalicionit, sipas tij, interesim ka, vetëm po pritet edhe finalizimi i marrëveshjes.

“Z.Pacolli është në kontakt. Ju e dini që kontaktet po bëhen përmes telefonit, ai është në kontakt dhe ka kompetencat për me vendosë për çdo lloj marrëveshje, andaj po presim. Nuk e përjashtojmë mundësinë e koalicionit, ka bisedu me Mustafën, kontakte ka qe një 1 javë z.Pacolli me z.Mustafa, po e presim edhe finalizimin e marrëveshjes”, tha Makolli

GazetaBlic ka pyetur Makollin, nëse Pacolli pritet që së shpejti të kthehet në Kosovë, ai tha se kjo tashmë nuk ka rëndësi, pasi të gjitha marrëveshjet mund të kryhen edhe nga largësia.

“Jemi për të dalë nga ky ngërç politik, nuk kemi bisedu se kur do të kthehet z.Pacolli, nuk ka nevojë me ardhë, kryhen punët edhe nga largësia”.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të mbajtur për media ka folur rreth mundësisë që Pacolli të jetë kthyer në Kosovë ilegalisht nga Presidenti Thaçi.

Sveçla, i ka kërkuar deputetit të AKR-së, Behgjet Pacolli, të lajmërojë mbi vendodhjen e tij, ose në të kundërtën sapo të shfaqet në pubik, Policia e Kosovës do të marrë masa, duke nënkuptuar kështu arrestimin e tij.

“Z.Pacolli i kërkojmë që të shprehet tani, menjëherë, se ku është, përndryshe nëse ai shfaqet në publik, brenda Kosovës, policia do të marrë masa sipas ligjeve në fuqi”, ka deklaruar Sveçla para mediave.