Prishtina mposht Interin andorras, kalon në raundin e parë kualifikues të Championsit

FC Prishtina ka triumfuar me rezultat të pastër 2:0 ndaj Inter Escaldes në finalen e turit parakualifikues të Ligës së Kampionëve.

Kampionia e Kosovës në futboll e nisi mbarë takimin me disa raste të mira shënimi, por u mungoi konkretizimi.

Ndërsa, goli erdhi tek në minutën e 44-të të ndeshjes, kur Endrit Krasniqi realizoi golin e epërsisë në “Elbasan Arena”.

Pjesa e dytë nisi furishëm për Prishtinën, teksa kryeqytetasit arritën golin në minutën e 58-të. Ishte sërish futbollisti më në formë i Prishtinës, Endrit Krasniqi që shënoi golin e dytë me një goditje të fuqishme.

Me këtë fitore, Prishtina siguron kualifikimin në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Aty, Prishtina do të përballet me ekipin Ferencvaros që ishte në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve edicionin e kaluar.

Kujtojmë se Prishtina fillimisht u përball me kampionin e San Marinos, Folgoren në gjysmëfinale, ekip të cilin e mposhti me rezultat të njëjtë si sonte, 2:0.