Prishtina mëson edhe kundërshtarët tjerë në Ligën e Evropës, në rast kualifikimi

Nëse arrin të sigurojë fitore në rrethin paraeliminator dhe në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, Prishtina do të përballet, në rrethin e dytë kualifikues, me njërin nga këto tri klube: Cork City nga Irlanda, Progres Niederkorn nga Luksemburgu ose Cardiff Met nga Uellsi.

Fillimisht, rrugëtimin drejt Ligës së Evropës, Prishtina do ta nisë me ndeshjen kundër klubit nga Gjibraltari, St Joseph, me të cilin do të përballet në rrethin paraeliminator.

Ndeshjen e parë do ta zhvillojë më 27 qershor, ndërsa ndeshjen kthyese do ta zhvillojë të enjten e ardhshme, më 4 korrik.

Nëse në këtë rund ajo arrin të sigurojë fitore, atëherë klubi kryeqytetas do të përballet me klubin skocez, Rangers, në rrethin e parë kualifikues për në Ligën e Evropës.

Nëse edhe në këtë rreth shënon fitore, Prishtina atëherë do të ketë punë me klubin që triumfon në anën tjetër të shortit, Cork City, Progres Niederkorn ose Cardiff Met.

Kjo do të jetë hera e katërt që Prishtina do të tentojë të arrijë sukses në këtë rrugëtim. Megjithatë, këtë herë ajo synon të arrijë rezultate më të mira pasi që dy herë është eliminuar në rrethin e parë kualifikues dhe një herë në rrethin paraeliminator.

Prishtina mori pjesë në këtë short si nënkampione e Superligës së Kosovës. Pasi që Feronikeli e fitoi edhe titullin e ligës e edhe atë të Kupës, Prishtinës i takoi vendi në rundin parakualifikues të Ligës së Evropës.