Prishtina merr fitoren e dytë rresht në Superligë

Prishtina e ka shënuar edhe fitoren e dytë rresht në elitën e futbollit të Kosovës.

“Bardhekaltrit” e Prishtinës të shtunën gjatë ditës fituan në udhëtim te Ulpiana me rezultatin 3:0. Në fitore, me dy gola të shënuar kontribuoi Leotrim Kryeziu, derisa Besnik Krasniqi e shënoi një tjetër. Kryeziu e hapi serinë e golave në minutën e 34-rt.

Në pjesën e dytë nga penalltia realizoi Krasniqi në minutën e 57-të, kurse Kryeziu me golin e dytë personal në ndeshje vulosi çështjen e fituesit. Me këtë fitore, Prishtina në vendin e katërt ka 24 pikë aq sa ka edhe Llapi i vendit të pestë.

Ulpiana mbetet në vendin e shtatë me 17 pikë, një më shumë se Dukagjini i vendit të tetë.

Në takimin e parafundit të stinorit vjeshtor, Prishtina në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet e luan derbin ndaj Dritës, kurse Ulpiana e pret Feronikelin.