Prishtina

Prishtina me shumë risi, pranvera pritet të jetë  ndryshe për bardhekaltrit

Skuadra më e trofeshme në vendin tonë, Prishtina duket se ngadalë po bie në binarët e vet dhe se shumë shpejt pritet të shohim atë Prishtinën e dikurshme që luftonte për çdo trofe.

Klubi bardhekaltër me të filluar viti 2024 ka dhënë sinjalet e para se do të bëjë shumë ndryshime dhe se objektivat tashmë janë të qarta, rikthimi në maja të futbollit, shkruan Ballkani.info.

Angazhimi i ish-futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë dhe Kosovës, Besart Berisha në stafin teknik të klubit, ardhja e mbrojtësit të mirënjohur Ardian Limani, si dhe angazhimi i disa emrave tjerë që pritet shumë shpejt t’i bashkohen taborit kryeqytetas të shtyjnë të mendosh se kjo skuadër ka nisur të rikuperohet dhe nuk do të jetë më një “Prishtinë e lehtë” siç ishte në 2-3 vitet e fundit.

Klubi tashmë ka zbuluar edhe agjendën e përgatitjeve për stinorin pranveror ku një pjesë të mirë të përgatitjeve do ta kryej në Antalia ku edhe do t’i zhvillojë disa ndeshje kontrolluese.

Testi i parë do të jetë më 11 janar ku ndeshen më Prishtinën e Re, për të vazhduar më pas me disa ndeshje në Turqi ku fillimisht luajnë me Ballkanin në Superkupë, ndërsa në ndeshje miqësore përballen FC Ordabasy, MFK Ruzomberok dhe NK Celje.

Në Antalia Prishtina pritet të udhëtojë me 14 janar ndërsa atje do të qëndrojë deri me 26 janar. /Ballkani.info