Prishtina kampione vjeshtore pas triumfit ndaj Dritës
Prishtina u shpall kampione vjeshtore e Superligës, pasi që siguroi fitore në ndeshjen e zhvilluar sot në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Dritës me rezultat 2-0, ndeshja kjo e fundit për pjesën e parë të sezonit.
Pjesën e parë të kësaj ndeshje e dominoi skuadra nga Gjilani, Drita, pasi që patën më shumë raste për të shënuar gol. Në këtë pjesë, lojtarët e Dritës i krijuan katër raste të mirë për të shënuar gol, ndërsa lojtarët e Prishtinës i krijuan vetëm dy.
Mirëpo, mungesa e konkretizimit të këtyre rasteve i kushtoi skuadrës së Dritës në pjesën e dytë, pasi që në minutën e 56-të, Meriton Korenica arriti t’ia sigurojë skuadrës së Prishtinë golin e parë të shënuar në këtë ndeshje. Në minutën e 94-të, Prishtina e dyfishoi rezultatin, përmes Basit Khalid.
Kjo fitore bën që Prishtina t’i kthehet përsëri fitoreve, pasi që në xhiron e fundit të Superligës kishte barazuar kundër Ferizajit. Tre pikët kundër Dritës, i kthejnë kryeqytetasit në pozitën e parë, me një pikë më shumë se Feronikeli, që radhitet në pozitë të dytë.
Ndërsa, humbja nuk e ka ndryshuar pozitën e Dritës në tabelën e Superligës, pasi që klubi gjilanas prapë mbetet në pozitën e gjashtë në tabelë, me plot 17 pikë larg liderëve të ligës.