FC Prishtina është kandidatja më e madhe për titullin e kampionit të Ipko Superligës së futbollit.
Bardhekaltrit sot e fillojnë rrugëtimin e madh në të cilin pritet t’i paraqesin problem të madh Feronikeli dhe Llapi.
Kampionia vjeshtore e Ipkos Superligës së Kosovës në futboll, FC Prishtina, sot i ka filluar përgatitjet për sezonin pranveror, i cili nis në muajin shkurt. Pas festave të fundvitit bardhekaltrit sot janë tubuar në stadiumin e 2 Korrikut në kryeqytet për ta filluar fazën përgatitore për pjesën e dytë të kampionatit.
Prishtinasit do të ushtrojnë në kryeqytet deri më 22 janar dhe pastaj do të udhëtojnë drejt Turqisë për ta zhvilluar një tjetër fazë përgatitore për rreth dhjetë ditë.
Bardhekaltrit e preferojnë Turqinë për ushtrime qysh moti për shkak se atje gjejnë klimë dhe kushte shumë të mira pune sesa në Kosovë ku qe një kohë të gjatë janë përballur me mungesë të fushave për të ushtruar.
Në Turqi FC Prishtina do t’i zhvillojë edhe disa ndeshje kontrolluese, me ekipe nga Ukrainia: Desena, Olimpik Donjeck dhe Shaktar U21.
Këto ndeshje do t’i shërbejnë trajnerit Mirel Josa për ta komponuar ekipin me të cilin gjatë pranverës do të përpiqet t’i tejkalojë sfidat e vështira kampionale në rrugën drejt titullit. Në këtë rrugëtim skuadra më e madhe në vend pritet të sfidohet fuqishëm nga Feronikeli, me të cilin e ndan veç një pikë. Por, nuk do t’i mungojë as sfida e madhe nga Llapi, që po ashtu është në lojë për titullin e kampionit me vetëm pesë pikë më pak sesa FC Prishtina dhe katër më pak sesa Feronikeli







