Prishtina emëron trajnerin e ri

Klubi i basketbollit, Prishtina, e ka emëruar Damir Mulaomerovicin në pozitën e trajnerit të klubit. Mulamerovici është njëkohësisht edhe trajner i Përfaqësueses së Kosovës.

Vetëm pak orë para se ta emëronin Mulamerovicin në pozitën e trajnerit, Prishtina e kishte publikuar në Facebook një fotografi, përmes së cilës bënte të ditur se klubi dhe trajneri Matthias Zollner i kanë ndarë rrugët.

“Pas analizave të mirëfillta të bëra nga kryesia e klubit në bashkëpunim me Zollner, janë pajtuar që në mënyrë të dyanshme të përfundojnë marrëveshjen dhe nga sot gjermani të mos jetë më në krye të ekipit tonë”, shkruhej në postimin e KB Prishtinës.

Trajneri i ri ka qenë pjesë e disa prej ekipeve më të famshme në Evropë, si: Cibona, Efes, Panathinaikos, PAOK, Olympiacos e Real Madrid, ku kishte fituar tituj prestigjiozë individual e ekipor.

Gjatë karrierës së tij, ai ishte shpallur kampion i Kupës së Kroacisë, i Kupës së Turqisë, koshashënuesi më i mirë dhe 3 herë All-Star në Superligën greke, fitues i Euro League me Real Madridin e shumë të tjerë. Ai gjithashtu ka qenë reprezentues i rregullt i Kroacisë.

Mulaomerovic e kishte filluar karrierën e tij si trajner me ekipin e vendlindjes së tij, Sloboda Tuzla të cilën e udhëhoqi për dy vite. Pas ekipit boshnjak ai u emërua timonier i skuadrës së famshme evropiane Cibona nga Zagrebi, kurse së fundmi udhëhoqi përfaqësuesen e Bosnje dhe Hercegovinës.

Muaj më parë ai morri drejtimin e Kosovës, ndërsa nga nesër do ta drejtojë edhe Prishtinën.